Shkup, 1 Shtator 2025 – Deputeti dhe zyrtari i lartë politik, Arbër Ademi, ka mbajtur sot një deklaratë publike të fortë përpara mediave dhe qytetarëve, duke akuzuar qeverinë aktuale për sulm sistematik ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe themeleve kushtetuese që garantojnë barazinë dhe funksionimin multietnik të shtetit.
Në fjalimin e tij, Ademi tha se propozimet për “rishikimin” e shumicës së Badenterit nuk janë thjesht lapsuse politike, por pjesë e një skenari të qëllimshëm për të minuar të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në vend.
“Nga Balancuesi te Badenteri, kjo që po ndodh është atentat i sërishëm mbi Marrëveshjen e Ohrit,” – deklaroi ai, duke shtuar se qeveria ka ndjekur një agjendë të rrezikshme që nga fillimi i mandatit të saj.
Sipas Ademit, ndër veprimet më problematike të qeverisë janë: shfuqizimi i Balancuesit, mosrespektimi i ligjit për gjuhët, ulja e numrit të këshilltarëve në komuna në kundërshtim me Kushtetutën, përjashtimi i diasporës nga përfaqësimi politik dhe dorëzimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit në duart e figurave me qëndrime antishqiptare.
Ai kritikoi ashpër edhe koalicionin shqiptar në pushtet, duke i akuzuar për mungesë legjitimiteti dhe për vënien e interesave personale mbi interesin kolektiv të shqiptarëve.
“Më 19 tetor, shqiptarët do të tregojnë se barazia nuk negociohet dhe Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet,” – përfundoi Ademi, duke i bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë me votë kundër politikave që, sipas tij, rrezikojnë të ardhmen e bashkëjetesës multietnike dhe rrugës europiane të vendit.