Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur tarifa doganore prej 50% për shumicën e importeve nga India, duke e ndëshkuar atë për blerjen e naftës ruse me çmime të zbritura. Vendimi hyri në fuqi menjëherë pas mesnatës në Uashington dhe rrezikon të dëmtojë rëndë ekonominë indiane, si dhe të godasë zinxhirët globalë të furnizimit.
Më herët këtë muaj, SHBA kishte vendosur tarifa prej 25% për mallrat indiane, por Trump njoftoi dyfishimin e tyre, duke pretenduar se blerjet e naftës ruse nga Nju Delhi po ndihmojnë në financimin e luftës së Kremlinit kundër Ukrainës.
Sipas të dhënave, eksportet indiane drejt SHBA-së vitin e kaluar kapën shifrën prej 87,3 miliardë dollarësh. Pjesa më e madhe e tyre tani do të përballen me taksa të rënda, përveç disa produkteve të veçanta si telefonat inteligjentë. Kjo e vendos Indinë mes vendeve më të goditura nga politikat e reja tregtare të Trump, së bashku me Brazilin.
Nga Nju Delhi, reagimi ka qenë i ashpër. Kryeministri Narendra Modi u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin prodhimet vendore, duke deklaruar se “presioni nga tarifat mund të rritet, por ne do ta përballojmë”. Ministri i Jashtëm indian e quajti kërkesën e Uashingtonit për të ndaluar blerjen e naftës ruse “të padrejtë dhe të paarsyeshme”, duke akuzuar Perëndimin për hipokrizi, pasi Evropa vazhdon tregtinë me Rusinë.
Ekspertët paralajmërojnë se tarifat 50% mund ta ulin rritjen ekonomike të Indisë nën 6%, duke krijuar terren për konkurrues nga vende si Turqia dhe Tajlanda që ofrojnë mallra më të lira për tregun amerikan.
Ndërkohë, në planin politik, kriza pritet të lërë pasoja afatgjata mbi marrëdhëniet mes dy demokracive më të mëdha të botës. “Trump e ka minuar besimin e ndërtuar me vite mes Uashingtonit dhe Nju Delhit,” tha një zyrtar i lartë indian, duke shtuar se rikuperimi i marrëdhënieve mund të mos ndodhë sa kohë ai është në pushtet.