Deputetja e koalicionit Vlen, Valbona Adili Emini, ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm për rolin e grave në shoqëri dhe politikë, përmes një postimi inspirues në Facebook.
“Adhuroj gratë që nuk presin asgjë nga askush, sepse ato shkojnë e marrin atë që u takon,” shkruan ajo, duke vënë në pah forcën, guximin dhe vetëbesimin që karakterizon gratë e vërteta.
Sipas saj, gratë nuk kanë nevojë të tregojnë sesi janë – sepse mjafton mënyra si veprojnë për të qenë shembull për të tjerët. “Ato ecin me kokën lart, edhe kur bota do të donte t’i fundoste,” thekson deputetja.
Adili Emini thekson se gratë janë kontribuese të rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë dhe aktore kyçe në ndërtimin e një të ardhme më të mirë. Ajo nënvizon sfidat e shumta me të cilat janë përballur gratë në politikë, por edhe sukseset që kanë arritur falë përkushtimit dhe këmbënguljes.
“Shpresojmë që përvojat e këtyre grave të nxisin edhe gra të tjera që të përfshihen në politikë dhe të mos qëndrojnë më në heshtje,” përfundon ajo, duke i bërë thirrje grave të Çairit dhe më gjerë që të marrin guximin për të qenë pjesë aktive e ndryshimit.





