12.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Ndërhyrjet kardiologjike pa nevojë?! Ministri Aliu takon kardiologun Sashko Kedev

Ende nuk është kompletuar ekipi i ekspertëve të huaj që do të hetojnë punën e institucioneve shëndetësore publike dhe private, pas dyshimeve se nëpër klinika kryhen ndërhyrje kadriologjike të panevojshëm vetëm për përfitim financiar. Ministria e Shëndetësisë thotë se procesi i krijimit të komisionit me ekspertë të huaj është në fazën përfundimtare.
“Komisioni do të shqyrtojë dokumentacionin dhe të dhënat përkatëse mjekësore nga institucionet, duke përfshirë institucionet shëndetësore publike dhe private, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të plotë rreth situatës dhe praktikave”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në bazë të ligjit punësimet para zgjedhjeve lokale janë të ndaluara. Por, nga Ministria e Shëndetësisë thotë se angazhimi i tyre do të realizohet ligjërisht.

“Angazhimi i ekspertëve të huaj do të kryhet ligjërisht dhe përmes një mekanizmi institucional, i cili do të jetë plotësisht transparent. Detajet do të shpallen kur procedura të përfundojë zyrtarisht dhe presim që ata të fillojnë punën menjëherë pas përfundimit të komisionit dhe procedurave formale”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk sqarojnë se çfarë të dhënash kanë siguruar nga takimi i sotshëm mes ministrit Azir Aliu dhe profesorit kardiologjik Sashko Kedev, i cili ishte i pari që ka hedhur dyshime mbi operacione të tilla, madje pati deklaruar se posedon edhe prova.

Ekipi i komisionit do të përbëhet nga tre ekspertë të huaj, njëri nga Sllovenia, Italia, dhe i fundit pritet të definohet ditëve në vijim nëse do të jetë nga Gjermania ose Austria.

Institucionet ku komisioni do të kryej inspektime janë: Spitali i posaçëm në Ohër, Klinika Universitare- Kardiologjia Shtetërore në Shkup, Klinika Universitare për Kardiologji në Shkup, Aci Badem Sistina dhe Zhan Mitrev në Shkup”.

Nga data 15 i muajit të ardhshëm të gjitha klinikat shëndetësore private janë të detyruara të dorëzojnë të dhënat mbi pacientët që i mjekojnë nëpër klinika. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit