Arkitektët ndërkombëtarë që janë angazhuar në fushatat zgjedhore të kandidatëve për Çairin për të ofruar zgjidhje për planifikimin urban të komunës, nuk kanë marrë asnjë denarë, por këtë e bëjnë nga vullneti i mirë, thonë Mexhiti dhe Osmani, shkruan Alsat.
Izet Mexhiti nga VLEN shton se shqiptari nga Shkupi, që është njeriu i dytë i Qytetit të Bursës, nuk dëshiron të përfitojë financiarisht, por të kontribuojë me dije për vendlindjen e tij.
“Pra këtu nuk vjen për të përfituar financiarisht, e bën për të kontribuar me dijen me përvojën që ka, për vendlindjen e vet, për Shkupin e vet. Pra është falas, gjithë atë që e bën e bën falas, dhe jo vetëm ai, por i gjithë ekipi i angazhuar edhe këtu i arkitektëve të Maqedonisë, por edhe arkitektëve nga Turqia, një ekip i madh. Të gjithë këtë e bëjnë në mënyrë vullnetare”, tha Izet Mexhiti, kandidat për kryetar të Komunës së Çairit.
Ndërsa Bujar Osmani nga Aleanca Kombëtare për Integrim, thotë se arkitekti meksikan në këtë fazë për krijimin e planit, po e bën pa marrëveshje financiare por vetëm sepse e ka mik.
“Nuk ka marrëveshje financiare me të.
-Pra ju po thoni, ka ai ka ardhur nga Meksika, me bë një plan dhe nuk e ka idenë se sa do të jetë çmimi.
– Jo, sepse është një mik i imi, me të cilin jemi miqësuar gjatë aktiviteteve të mia nëpër botë, kontakteve të mia nëpër botë, dhe ka pranuar të ndihmojë. Kështu që në këtë fazë, për krijimin e planit, vizionit për Çairit, rilindjen urbane të Çairit, ai do me vullnet ta ndihmon”, u shpreh Bujar Osmani, kandidat për kryetar të Komunës së Çairit.
Ditë më parë kandidatët për pozitën e numrit një të Çairit, prezantuan arkitektët me të cilët synojnë që ta modernizojnë këtë komunë. / Alsat.mk