Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të tentojë t’ia kthejë Ukrainës një pjesë të territorit të vet në takimin që do ta ketë me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht.
“Rusia e ka pushtuar një pjesë të madhe të Ukrainës. Ata e kanë pushtuar territorin kryesor. Ne do të tentojmë t’ia kthejmë mbrapsht Ukrainës një pjesë të atij territori”, ka thënë Trump në një konferencë për media.
Trump ka thënë se bisedimet në Alaskë do të jenë të natyrës fillestare, dhe kanë për qëllim të bindin Putinin për t’i dhënë fund luftës, dhe që do të ketë “disa shkëmbime territoresh”.
Kjo nuk është hera e parë që presidenti amerikan e ka përdorur shprehjen “shkëmbim territoresh”, ndonëse nuk është e qartë se çfarë toke mund t’i japë Rusia Ukrainës.
Kievi nuk ka pretenduar kontroll asnjëherë në territorin rus.
Trump ka thënë se do t’i njoftojë liderët evropianë nëse Putin propozon “marrëveshje të drejtë” gjatë bisedimeve, dhe që do të bisedojë fillimisht me presidentin ukrainas, Volodolyr Zelensky.
“Do ta thërras atë të parin… do ta thërras pas takimit dhe mund t’i them ‘paç fat, vazhdoje luftën’, ose do t’i them ‘mund ta kemi një marrëveshje”.
Trump ka thënë, gjithashtu, se ndonëse ai dhe Zelensky kanë raporte të mira, ai ka “mospajtime të thella me atë që ka bërë”.





