11.8 C
Skopje
Saturday, November 8, 2025

Mucunski paralajmëroi për “narrativ të rrezikshme”! Osmani u përgjigj se Marrëveshja e Ohrit është themel i shtetësisë

Ministri i punëve të jashtme Timço Mucunski dhe paraardhësi i tij Bujar Osmani hynë në një polemikë publike rreth interpretimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe karakterit unitar të shtetit.

Gjithçka filloi pasi Mucunski e akuzoi Osmanin se pas kandidimit të tij për kryetar të Çairit “ka përcjellë narrativë të rrezikshme për shkeljen e karakterit unitar të shtetit”, që sipas tij janë “dëmshme edhe për stabilitetin rajonal”. Ai njoftoi se do të merren masa proaktive për parandalimin e këtyre mesazheve, duke theksuar:

“Foli për të ashtuquajturën autonomi në vendimmarrje, praktikisht hapi tema për krijimin e një shteti brenda shtetit… Duhet qartë t’i bëhet me dije se karakteri unitar nuk do të cënohet nga askush. Ky shtet as ka qenë, as do të jetë federatë ose konfederatë. Thirrjet e tilla janë narrativ i rrezikshëm”, tha Mucunski

Pas kësaj, Osmani iu përgjigj me një postim në Facebook, duke theksuar se Marrëveshja Kornizë e Ohrit është themeli i shtetësisë moderne dhe demokracisë multi-etnike. Sipas tij, mekanizmat e marrëveshjes – parimi Badenter, përfaqësimi i drejtë, të drejtat gjuhësore dhe decentralizimi i fuqizuar – nuk e rrezikojnë unitetin e shtetit, por e forcojnë atë.

“Kjo Qeveri nuk bën hapa të guximshëm, por të papërgjegjshëm, të cilët bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat afatgjata të shtetit dhe të gjithë qytetarëve të tij në të gjitha segmentet kyçe. Deklarata e Mucunskit nuk është vetëm një keqkuptim i thelbit të Marrëveshjes së Ohrit, por shërben edhe si përpjekje për të hapur një front etnik të panevojshëm, në një kontekst politik kur na duhet konsensus i thellë për dosjen evropiane”, tha Osmani.

Konfrontimin e vazhdoi kreu aktual i diplomacisë, Timço Mucunski, i cili iu përgjigj se disa politikanë “kur janë në pushtet, janë evropianë progresivë, ndërsa kur kalojnë në opozitë, bëhen apostuj të destabilizimit dhe ndarjeve”.

Polemika midis dy diplomatëve tregoi se çështjet për Marrëveshjen e Ohrit dhe modelin multi-etnik mbeten ndër temat më sensitive në politikën e Maqedonisë, ndërsa shkëmbimi i mesazheve të ashpra në rrjete sociale paralajmëron se debati për këto tema do të vazhdojë me intensitet edhe më të madh në periudhën që vjen, veçanërisht në periudhën parazgjedhore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit