10.8 C
Skopje
Tuesday, November 4, 2025

Ibrahimi: E zgjidhëm problemin 40-vjeçar të Medresesë “Isa Beu”

Pas dekadash pritjeje dhe pas një angazhimi të gjatë politik, Qeveria e
Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar sot Ligjin për shkollat e
mesme fetare, duke zgjidhur një nga padrejtësitë më të mëdha ndaj
nxënësve të Medresesë “Isa Beu”, mosnjohjen zyrtare të diplomave të
tyre.

Kryetari i Alternativës dhe njëherësh një nga liderët e koalicionit
VLEN, Zeqirija Ibrahimi, e cilësoi miratimin e ligjit si rezultat i një
“përpjekjeje vetëmohuese dhe të sinqertë”, që i jep fund një padrejtësie
40-vjeçare.

“Urime nxënësve të kësaj shkolle dhe falënderime për të gjithë që kanë
kontribuar për këtë sukses. Le ta gëzojnë nxënësit dhe prindërit e
tyre!”, shkroi Ibrahimi në rrjetet sociale, duke e shoqëruar statusin me
një ajet nga Kurani: “Cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?!”
(Er-Rrahman).

Medreseja “Isa Beu”, një institucion arsimor me rëndësi historike dhe
shpirtërore për komunitetin mysliman në vend, kishte për dekada të tëra
një status të pazgjidhur ligjor që vinte në pikëpyetje vlefshmërinë e
diplomave të saj në sistemin shtetëror. Me miratimin e ligjit të ri,
këto diploma do të njihen zyrtarisht dhe do të hapin rrugën për qasje të
barabartë në arsim të lartë dhe në tregun e punës për dhjetëra gjenerata
të nxënësve.

Ky vendim shihet si një hap i rëndësishëm drejt barazisë arsimore dhe
respektimit të të drejtave të komuniteteve fetare në vend, ndërkohë që
vjen në një moment kyç për koalicionin VLEN, i cili ka marrë mbi supe
zgjidhjen e çështjeve të neglizhuara ndër vite.

Ky zhvillim pritet të mirëpritet gjerësisht si nga komuniteti mysliman,
ashtu edhe nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe të barazisë në
arsim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit