Deputetja e koalicionit VLEN, Valbona Adili Emini, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë parti se për më shumë se dy dekada ka keqpërdorur çështjen e gjuhës shqipe për qëllime elektorale, pa e zgjidhur realisht atë përcjell ora24.tv
Në një status në Facebook, Emini shprehet se edhe pas 20 vitesh në pushtet, shqipja mbetet një “simbolikë” e pazbatuar në praktikë, ndërsa ligji i miratuar në vitin 2019 nuk e vendos gjuhën shqipe në pozitë të barabartë me maqedonishten. Sipas saj, përdorimi i shqipes në institucione është i kufizuar, formal dhe pa mbështetje kushtetuese.
“BDI luajti me ndjenjat tona kombëtare. E përdori gjuhën shqipe si flamur partiak, jo si përgjegjësi shtetërore”, shkruan Emini, duke akuzuar BDI-në se ka vendosur kufij dhe kushte në vend të zbatimit të plotë të barazisë gjuhësore.
Sipas saj, neni 7 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut njeh vetëm maqedonishten si gjuhë zyrtare në gjithë territorin, ndërsa shqipja nuk ka asnjë garanci kushtetuese, gjë që BDI kishte mundësi ta ndryshonte por nuk e bëri.
“BDI kishte mundësinë dhe pushtetin për ta bërë zyrtarizimin e shqipes sonë të bukur. Nuk e bëri. Nuk e bëri sepse nuk deshi, sepse i mjaftonte vetëm simbolika”, përfundon deputetja.





