Mendi Qyra, një nga figurat më aktive në zhvillimin ekonomik të rajonit, ka bërë të ditur sot vendimin e tij për t’u tërhequr nga posti i Kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut – Perëndimore.
Në një prononcim për Ora24.tv ai deklaroj:
“Kam vendosur të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Odës, duke ndjekur të gjitha procedurat që përcakton Statuti i institucionit. Kjo është një vendimmarrje e matur dhe e domosdoshme, për shkak se tashmë kam shpallur kandidaturën time të pavarur për Komunën e Strugës”, – u shpreh Qyra.
Ai thekson se ky hap nuk është tërheqje nga përgjegjësia, por pikërisht një akt përgjegjësie ndaj dy pozicioneve që kërkojnë përkushtim të plotë.
Mbledhja e radhës e Kuvendit të Odës pritet të mbahet nga fundi i muajit korrik, ku Qyra do të paraqesë zyrtarisht dorëheqjen dhe do të propozojë një zgjidhje institucionale për të garantuar vazhdimësinë e drejtimit dhe funksionimin e Odës, në mënyrë që të shmanget çdo vakum drejtues.
“Oda Ekonomike është një hallkë kyçe për zhvillimin e biznesit në rajon, dhe unë do të vazhdoj ta mbështes atë edhe jashtë rolit formal,” përfundon Qyra.





