9.8 C
Skopje
Wednesday, November 5, 2025

Perinski nga Gjevgjelia: Qeveria vendosi një kornizë strategjike për zhvillim të qëndrueshëm lokal

Sot në Gjevgjeli ka filluar konferenca ndërkombëtare dyditore për zhvillim rajonal (https://shorturl.at/y8An8), e organizuar nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale, me temën: “Zhvillimi rajonal në një botë që ndryshon me shpejtësi – E ardhmja nis në nivel lokal: Vizioni i ri për zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar.”

Në hapjen solemne folën Kryeministri Hristijan Mickoski, Ministri për Vetëqeverisje Lokale Zllatko Perinski dhe Ambasadorja e Zvicrës, znj. Véronique Ullmann.

“E ardhmja nuk fillon globalisht dhe në mënyrë qendrore – ajo fillon në nivel lokal,” theksoi Kryeministri Mickoski, duke shtuar se themelet e një shteti të qëndrueshëm dhe të suksesshëm ndërtohen përmes komuniteteve lokale të fuqishme. Ai bëri të ditur se Qeveria ka siguruar 250 milionë euro për projekte kapitale në komuna, si pjesë e mbështetjes më të madhe deri tani nga buxheti shtetëror për zhvillimin lokal. Janë miratuar 829 projekte me një vlerë totale prej pothuajse 14 miliardë denarësh, kryesisht të përqendruara në infrastrukturë dhe mbrojtje të mjedisit.
“Çdo komunë merr një shans. Çdo qytet dhe çdo fshat merr mundësinë për t’u zhvilluar. Dhe kjo nuk është rastësi – kjo është rezultat i një qasje sistematike dhe një vizioni të qartë,” shtoi Mickoski, duke theksuar se e ardhmja e vërtetë evropiane fillon pikërisht nga zhvillimi rajonal i balancuar.

Ministri Perinski theksoi se përgjegjësia e institucioneve është të ndërtojnë një shtet që i reziston sfidave.
“Balanca rajonale nuk do të thotë vetëm shpërndarje e fondeve. Ajo nënkupton krijimin e mundësive të barabarta për zhvillim, pavarësisht nëse jetoni në një qytet të madh apo në një zonë rurale, dhe nënkupton zhvillim që respekton burimet lokale dhe përfshin qytetarët,” deklaroi ministri Perinski, duke shtuar se përmes përkushtimit të plotë të Qeverisë dhe Kryeministrit, është ndërmarrë një hap vendimtar.

Ambasadorja Ullmann theksoi se Zvicra që nga viti 2012 e mbështet vendin në promovimin e zhvillimit rajonal të balancuar dhe qeverisjes së mirë.
“Qëllimi përfundimtar i mbështetjes sonë është që të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh ku jetojnë, të kenë qasje në mundësi të barabarta, shërbime publike dhe cilësi më të mirë jetese. Zhvillimi rajonal është një mjet për të ulur migracionin, për të forcuar ekonominë lokale dhe për të rritur rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike. Ai nuk është vetëm një qëllim politik, por një parakusht për kohezion social dhe stabilitet demokratik,” tha Ullmann, duke shtuar se kjo mbështetje do të kontribuojë edhe në integrimin më të shpejtë të vendit në BE.

Konferenca vazhdon me katër panele tematike: rritje e drejtë, rajone më të forta, harmonizim i politikave dhe financave për zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim digjital.
Ndër folësit janë ministra, zëvendësministra, ekspertë, përfaqësues të komunitetit akademik dhe të biznesit, si dhe nga vetëqeverisja lokale.
Fokusi është vendosur në rëndësinë e një qasjeje policentrike dhe të integruar ndaj zhvillimit, thelbësore për përballjen me sfidat demografike dhe përkrahjen e komunave rurale dhe më të vogla.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit