Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit, njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri, njofton Ministria e Jashtme.
“Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave në Tel Aviv dhe Kajro. Falënderojmë autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë“, shkruan MEPJ.





