Ohër, 13 qershor 2025 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar sot nga bregu i Liqenit të Ohrit se është përfunduar dhe lëshuar në përdorim rruga rajonale e rindërtuar nga Ohri deri në Shën Naum, një investim prej 11,7 milionë eurosh.
Projekti ka përfshirë rikonstruktimin e plotë të 24,3 kilometrave të rrugës, përfshirë sanimin e asfaltit, vendosjen e sinjalistikës dhe mbrojtëseve të reja, si dhe ndërhyrje në zona me rrezik të lartë për rrëshqitje. Sipas Mickoskit, rruga do të garantojë më shumë siguri dhe jetëgjatësi për përdoruesit.
“Kjo rrugë nuk është vetëm një projekt infrastrukture. Ajo na lidh me një nga qendrat më të mëdha shpirtërore dhe turistike në Ballkan – Shën Naumin – si dhe me Republikën e Shqipërisë,” tha Mickoski, duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në rajon.
Kryeministri theksoi se strategjia e qeverisë është që investimet në infrastrukturë të mos shihen si shpenzime, por si kontribute direkte për të ardhmen e vendit. Ai theksoi gjithashtu rritjen e ndjeshme të turistëve të huaj këtë vit, me mbi 20% më shumë vizitorë në muajin prill krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të njëjtën kohë, Mickoski informoi se janë në ndërtim disa akse të rëndësishme rrugore, si autostrada Kërçovë – Ohër, segmentet Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bukojçan, ndërsa po përgatitet edhe ndërtimi i aksit Bukojçan – Kërçovë.
“Kjo është politikë e realizimit, jo e premtimeve. Po ndërtojmë me përkushtim, ndershmëri dhe përgjegjësi – për çdo qytetar,” përfundoi Mickoski.
Rruga Ohër – Shën Naum pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit, rritjen e lidhjeve rajonale dhe përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve në zonën jugperëndimore të vendit.





