10.8 C
Skopje
Friday, November 7, 2025

Vendimi për Ligjin për gjuhët pas zgjedhjeve, për BDI-në dhe VLEN-in zgjedhjet do të jenë referendum

Si do të jetë fati i Ligjit për gjuhët do të dihet pas zgjedhjeve lokale. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në emisionin “Triling” informoi se seanca përgatitore është caktuar për më 19 qershor si dhe dërgoi porosi deri te qytetarët:

“Të jenë të qetë dhe të mos bien pre e manipulimeve politike, ashtu siç pamë në periudhën që lamë pas. Vlerësimi im është se vendimi përfundimtarë do të sillet pas zgjedhjeve”, deklaroi Kostadinovski.

Sipas Kostadinovskit, gjykata sjell vetëm vendime që mbrojnë Kushtetutën dhe askush nuk duhet të ketë frikë.

“Ja Balancuesin e shfuqizuam. A ndodhi diçka e tmerrshme?”, tha më tej Kostadinovski.

Reaguan nga BDI prej ku thonë se deklaratat e Kostadinovskit janë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme. Nga partia akuzuan se me deklaratat e tilla opinioni defokusohet nga diskriminimi sistematik.

“Gjykata Kushtetuese nuk po fshihet më pas neutralitetit – ajo po vepron si zgjatim parapolitik i pushtetit aktual. Paralajmërimi se vendimi për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të merret pas zgjedhjeve nuk është rastësi, por pjesë e një plani të mirëorkestruar për të ruajtur përkohësisht projektin e tyre politik te shqiptarët me kuazipërfaqësues pa legjitimitet, e që më pas për të goditur të gjitha arritjet e fituara përmes Marrëveshjes së Ohrit”, thonë nga BDI-ja.

Sipas BDI-së, zgjedhjet lokale nuk janë vetëm zgjedhje politike por referendum për gjuhën shqipe.
Nga koalicioni VLEN pajtohen se, siç thuhet në kumtesë, zgjedhjet e ardhshme lokale nuk do të jenë vetëm zgjedhje të thjeshta. Shtojnë se BDI është e zhgënjyer që nuk ka pasur sukses plani i tyre për shfuqizimin e Ligjit për gjuhët dhe me këtë ta destabilizojnë shtetin.

“Për dy dekada, BDI i ka bërë gjërat në mënyrë gjysmake, për sy e faqe, duke hedhur hi syve të opinionit shqiptar dhe duke e përdorur çështjen kombëtare për pazare personale e partiake. Zgjedhjet e ardhshme lokale nuk janë më thjesht zgjedhje. Ato janë referendum për gjuhën shqipe, për barazinë e shqiptarëve në këtë shtet dhe për vulosjen përfundimtare të BDI-së si parti Non Grata dhe si “organizatë” e interesave të ngushta personale!”, thanë nga VLEN-i.

Seanca përgatitore për Ligjin për gjuhët së pari u caktua për në fund të muajit mars, por më pas u prolongua për shkak të tragjedisë në Koçan. Gjykatësi Kostadinovski tha se pa nevojë është ngritur pluhur për dimensione politike dhe etnike rreth vendimit të gjykatës. Sipas tij shteti nuk ka problem me raportet ndëretnike por me keqpërdorimin e tyre për qëllime politike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit