11.8 C
Skopje
Sunday, November 2, 2025

Nikolloski: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Taravari do të kryente vetëvrasje politike nëse bashkëpunon me BDI-në

Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së thotë se partia nuk do të heqë dorë nga premtimi elektoral se BDI do të kalojë në opozitë. Sipas tij, nëse dikush mendon se duhet të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë padyshim do të jetë në opozitë. Në intervistë për “360 gradë”, Ai thekson se nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Taravari se do të hyjë në koalicion me BDI-në, por nëse ndodh kjo, atëherë realiteti do të ndryshojë, sipas Nikolloskit.

Çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale, për Nikolloskin është e mbyllur. Sipas tij, këtë vjeshtë qytetarët do të vendosin se kush do të jenë këshilltarët komunalë dhe kryetarët e komunave të tyre. “Nëse jemi me shëndet, në vitin 2028 do të matemi përsëri në zgjedhje parlamentare,” tha Nikolloski në një intervistë për “360 gradë”.

Zëvendëskryeministri, ministri i Transportit dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski, është i bindur se një politikan jashtëzakonisht me përvojë si Arben Taravari nuk do të ndërmarrë një hap që do ta rrezikonte pozitën e tij. Bashkëpunimi me BDI-në, sipas tij, do të ishte një manovër me të cilën ai do t’i mbyllte vetes dyert për në koalicionin qeveritar.

“Ai është shumë me përvojë në politikë. Ndoshta unë jam ai që e kam kritikuar më shumë se të gjithë të tjerët në këtë qeveri, por nëse e lëmë këtë mënjanë, është fakt që ai është me përvojë politike dhe nuk mendoj se është aq, ta them ndryshe – naiv, sa të hyjë në bashkëpunim me BDI-në. Mendoj se publiku paksa e nënvlerëson dhe nuk pres që ai do të ndërmarrë një hap që do të ishte një vetëvrasje politike. Do të befasohesha nëse do të tregonte një naivitet të tillë politik. Natyrisht, nuk e përjashtoj një skenar të tillë, por do të isha shumë i befasuar nëse ndodh”.

Sipas tij, përveç një bashkëpunimi të mundshëm me BDI-në, nuk ekzistojnë arsye të tjera përse VMRO-DPMNE apo kryeministri do të shqyrtonin ndërprerjen e partneritetit me Taravarin, pasi ai si ministër gëzon besimin e anëtarëve të kabinetit të Mickoskit.

“Mendoj se edhe qytetarët janë të kënaqur me atë që ai po bën. Patëm një tragjedi të madhe, për të cilën vështirë se do të mund të jepnin përgjigje edhe sisteme shëndetësore më të zhvilluara se ai i Maqedonisë. Sa i përket bashkëpunimit me BDI-në, për ta nuk ka vend në qeveri. Nëse ndonjë nga partnerët në VLEN mendon se mund të bashkëpunojë me BDI-në dhe në atë mënyrë të përfshijë direkt BDI-në në qeveri, kjo nuk është reale dhe ne do t’i qëndrojmë asaj politike deri në fund. Ne morëm mandatin me premtimin se BDI do të jetë në opozitë. Dhe këto katër vjet ne do ta mbajmë këtë premtim. Nëse dikush mendon se duhet të bashkëpunojë me BDI-në, atëherë sigurisht që do të jetë në opozitë. Por për momentin nuk kemi asnjë njoftim zyrtar nga Taravari se do të hyjë në koalicion me BDI-në. Do të thotë, nëse ai shkon në koalicion me BDI-në, atëherë realiteti do të ndryshojë,” tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së.

Nikolloski është i vetëdijshëm se ekzistojnë përplasje mes partnerëve të VLEN-it, por apelon që ata të ulen në një tryezë të përbashkët dhe t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet. Jo sepse kjo do të ndikonte në stabilitetin e qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, por sepse do të përbënte një hap prapa nga qëllimi më i lartë në kampin shqiptar: që BDI të mos ketë më ndikim në proceset politike.

“Në shtëpi me katër njerëz është e vështirë të merresh vesh, e jo më me katër parti politike që kanë interesat e veta. Por ekziston një qëllim më i lartë. Tek shqiptarët, për herë të parë po ndodh një ndryshim. Dhe mendoj se ky është qëllimi i lartë politik të cilit këto katër parti politike duhet t’i shërbejnë, dhe për këtë qëllim më të lartë politik duhet të gjejnë një marrëveshje politike se si të paraqiten në zgjedhjet lokale. Nëse do ta gjejnë apo jo atë marrëveshje, në fund është vendim i tyre. Ne nuk jemi as mësues, as tutorë që të u themi çfarë të bëjnë. Ne mund t’i këshillojmë, mund të apelojmë, por në fund vendimi nëse do të ketë marrëveshje apo jo është i tyre. Por nuk duhet të harrojnë cili është qëllimi më i lartë.

Përndryshe, qeveria është stabile. Sipas numrave, edhe vetëm si VMRO-DPMNE mund ta drejtojmë qeverinë. Me ZNAM kemi një shumicë të qëndrueshme, por natyrisht realiteti në Maqedoni është i tillë dhe është e mirë që të kemi partnerë nga blloku shqiptar. Por nëse dikush dëshiron të largohet nga qeveria, ne kemi një numër të mjaftueshëm deputetësh që të ndjehemi komod dhe të realizojmë projektet”, thotë Nikolloski, pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse legjitimiteti politik i qeverisë mes shqiptarëve etnikë do të vihej në pikëpyetje në rast se, përveç Ahmetit, edhe Taravari do të ishte jashtë saj.

Duke pasur parasysh këtë konfigurim, ai megjithatë vlerëson se nuk ekzistojnë arsye që mund të provokojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale.

“Qytetarët vitin e kaluar e shprehën qartë vullnetin e tyre dhe treguan se kush mendojnë se duhet ta udhëheqë qeverinë. Ne kemi pothuajse një shumicë prej dy të tretash me 78 deputetë, dhe ka interes që ky numër të rritet. Dhe nëse do të donim, me shumë gjasë do të shkonim mbi 81-82 deputetë pa asnjë problem. Kështu që, mendoj se qytetarët vitin e kaluar ishin të qartë dhe të vendosur. Kemi zgjedhje të rregullta lokale. Qytetarët do të dalin, do të tregojnë kë duan për këshilltarë dhe kryetarë komunash, dhe kjo është gjithçka nga aktivitetet zgjedhore për këtë vit. Pastaj, nëse jemi me shëndet, në vitin 2028 do të matemi sërish në zgjedhjet parlamentare. Kjo është një çështje e mbyllur. Këtë vjeshtë do të ketë vetëm zgjedhje lokale,” deklaroi Nikolloski në intervistën për “360 gradë”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit