Për mbrojtjen e të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, nga buxheti i Republikës së Kosovës janë shpenzuar 6 milionë e 277 mijë e 500 euro gjatë vitit 2025. Ndërsa në total, për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MD) lidhur me pagesat që janë ekzekutuar për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara për vitin 2025.
Shuma më e madhe është shpenzuar nga mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për secilën nga mbrojtjet e tyre, janë shpenzuar nga 1 milion e 320 mijë euro në rastin për krime lufte. Ndërsa, 17 mijë e 500 euro të tjera, janë shpenzuar për Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë.
Për mbrojtjen e Salih Mustafës dhe atë të Pjetër Shalës, janë shpenzuar nga 480 mijë euro.
Kurse, për Bashkim Smakan janë shpenzuar 10 mijë euro, për të bashkë të akuzuarin e tij, Fadil Fazliun janë shpenzuar 7 mijë euro. Ndërsa, për Ismet Bahtijarin janë shpenzuar 3 mijë euro.
Të dhënat në fjalë janë ofruar nga Ministria e Drejtësisë, përkatësisht Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Por, nga kjo Ministri nuk kanë ofruar të dhëna nëse dhe sa kanë shpenzuar avokatët për Haxhi Shalën, Sabit Januzin, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.
Për vizitat familjare u shpenzuan mbi 237 mijë euro.
Sipas të dhënave nga MD-ja, nga buxheti i Republikës së Kosovës për vizitat familjare të të akuzuarve në Hagë janë shpenzuar gjithsej 237 mijë e 567 euro e 69 centë. Këtu përfshihen biletat e aeroplanit dhe ushqimi.
Nga të dhënat, Hashim Thaçi del se nuk e ka shfrytëzuar këtë të drejtë. Ndërsa, për vizitat familjare të Jakup Krasniqit janë shpenzuar gjithsej 34 mijë e 771 euro e 40 centë, për ato të Rexhep Selimit janë shpenzuar 32 mijë e 39 euro e 29 centë.
Po ashtu, Isni Kilaj ka shpenzuar 29 mijë e 457 euro e 23 centë, për Haxhi Shalën u shpenzuan 28 mijë e 912 euro e 60 centë, për Bashkim Smakajn 26 mijë e 969 euro e 6 centë.
Në anën tjetër, Kadri Veseli për vizita familjare ka shpenzuar 22 mijë e 563 euro e 28 centë. Kurse, Salih Mustafa për të njëjtën kategori ka shpenzuar 17 mijë e 361 euro e 68 centë, Pjetër Shala 8 mijë e 365 euro e 72 centë, si dhe Ismet Bahtijari 3 mijë e 925 euro e 87 centë.
Ndryshe, në përgjigjen e MD-së thuhet se buxheti që është ndarë për vitin 2025, për Divizionin për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë DhSK-së, është 8 milionë e 50 mijë euro.
Në total, nga buxheti i Kosovës për mbrojtjen e të akuzuarve dhe vizitat familjare janë shpenzuar 6 milionë e 515 mijë e 67 euro e 69 centë.
Mbulimi i këtyre shpenzimeve për mbrojtjen e të akuzuarve të Speciales bëhet konform nenit 3, paragrafi 1 të Ligjit nr. 05/l-054 për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.
Sipas nenit 3.1 të këtij ligji përcaktohet se “Të gjithë personat e akuzuar kanë të drejtën e kërkesës për asistencë në mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe të angazhimit të mbrojtësit të pavarur, me përvojë dhe kompetencë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, i alokuar për qëllimet e këtij Ligji”.
Derisa, neni 4 i po të njëjtit ligj ka paraparë se “1. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtarët e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara përfshinë shpenzimet e ndërlidhura me udhëtimet e tyre kur procedurat gjyqësore zhvillohen jashtë Kosovës. 2. Mbështetja e nevojshme financiare për anëtaret e ngushtë të familjes së personave të akuzuar për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara bëhet sipas aktit nënligjor të miratuar nga Ministria e Drejtësisë”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës janë themeluar në gusht të vitit 2015, pasi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kishin miratuar amendamentin kushtetues, përkatësisht nenin e ri 162 të Kushtetutës së Kosovës, me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe Ligjin pёr Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit tё Specializuar (ZPS).




