45 rrugë të reja dhe zgjidhje për ujin! Tetova shënon Ditën e Komunës

Me një seancë solemne është shënuar dita e Komunës së Tetovës. Në këtë datë kujtohet konstiutuimi i parë i këshillit komunal në sistemin pluralist. Më këtë rast, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka mbajtur një fjalim para mysafirëve të pranishëm në shënimin e ditës së komunës. Sipas tij, dita e Komunës është festë që shënon angazhimin e përbashkët qytetar dhe kultivimin e vlerave demokratike, transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së të gjithë aktorëve shoqërorë në krijimin e politikave publike në të mirë të qytetarëve.

“Me 17.4 milionë euro investime në infrastrukturë dhe 45 rrugë të ndërtuara, vitin e kaluar vendosëm rekord në këtë fushë. Depërtuam bulevardin ‘V.S Bato’ nga Tetova drejt Porojit dhe Tearcës, në gjatësi prej 1450 metër, me trotuare dhe me ndriçim publik. Rregulluam dhe asfaltuam rrugët në lagjet e qytetit, duke vazhduar pastaj në fshatin Llacë, ku për herë të parë është bërë shtrimi i rrugës me asfalt, në Shipkovicë, në Reçicë të Vogël dhe në disa zona të tjera. Nuk kemi lënë vendbanim, lagje dhe fshat pa vënë dorë në infrastrukturë, një tregues që po shihet dhe pranohet nga qytetarët”, tha kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.  Më tej, ai përmendi edhe investime tjera që kanë të bëjnë me ujin e pijshëm.

“Në Lagjen Jashtë Vardarit po punohet me ritëm të shpejt dhe së shpejti banorët e kësaj lagje nuk do të kenë problem me ujin e pijshëm. Për herë të parë kemi zgjidhur problemin me ujin për pije edhe në Lagjen 146, për banorët të cilët me dekada nuk kanë pasur ujë për pije. Falë punës dhe angazhimit të Komunës dhe të Ndërmarrjes Sharri ky problem u zgjidh. Kemi bërë edhe shumë intervenime dhe riparime në rrjetin e ujësjellësit dhe është e pamundur që t’i përmendim të gjitha, por me rëndësi është se mungesa e ujit dhe restrikcionet në Tetovë tashmë i përkasin së kaluarës”, tha Kasami. Më tej, ai nënvizoi edhe disa investime ne arsim dhe kulturë.

“Komuna e Tetovës vazhdon të jetë një ndër mbështetësit dhe promotorët kryesor edhe të kulturës dhe aktiviteteve kulturore. Organizimi i Verës Kulturore është një ndër manifestimet më të mëdha që mban gjallë jetën kulturore në qytet. Qendra Rinore e Tetovës u bë realitet dhe do të shërbejë për aktivitetet rinore dhe për jetësimin e ideve të rinisë tetovare. Rinia e Tetovës ka energji dhe potencial të madh, dhe përmes këtij projekti po krijojmë hapësira ku kjo energji të shndërrohet në ide konkrete, në aktivitete me ndikim dhe në një forcë të re që e çon përpara vendin tonë. Përveç kësaj, po mbështesim edhe shumë aktivitete dhe organizime kulturore, me synimin që ta prezantojmë sa më denjësisht Tetovën tonë”, tha mes tjerash kryetari Kasami. Si zakonisht, në seancën solemne kushtuar ditës së Komunës së Tetovës, ndahen mirënjohje për veteranë të arsimit, njerëz të fushave të ndryshme, mjekë, sportistë, njerëz të artit dhe kulturës, artizanatet, gazetarë dhe profile të tjera. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit