Paga më të larta me 40% deri në 2028-tën për punonjësit e administratës publike, paralajmëroi ministri Goran Minçev.
“Në një dialog partneriteti me sindikatat, u arrit një marrëveshje historike përmes marrëveshjeve kolektive, e cila siguroi një rritje të vazhdueshme të pagave të nëpunësve administrativë me 40 për qind deri në vitin 2028”, tha Goran Minçev.
Ministri e konsideron si hap të rëndësishëm miratimin e ligjit për udhëheqësit e lartë, duke theksuar se mandati për “ushtrues detyre” do të jetë i kufizuar në 6 muaj. Siç shtoi, modeli i ri parashikon një njoftim publik, verifikimin e kushteve, renditjen dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, duke lidhur kështu pozicionet e larta me njohuritë, kompetencën, përvojën profesionale dhe integritetin.
“Ligji prezanton mekanizma për monitorimin e punës së menaxherëve të lartë, si dhe llogaridhënie më të qartë për rezultatet që ata arrijnë. Është veçanërisht e rëndësishme që mundësia e kryerjes afatgjatë të funksioneve të U.D të jetë e kufizuar. Mandati i U.D të jetë i kufizuar në gjashtë muaj, gjë që krijon stabilitet dhe parashikueshmëri më të madhe në menaxhimin e institucioneve”, deklaroi Goran Minçev.
Këto Minçev i tha gjatë prezantimit të punës së bërë në 2 vite sa është në krye të ministrisë së Administratës Publike. Sipas tij, një nga rezultatet më domethënëse është miratimi i tre ligjeve sistemike në fushën e administratës: Ligji për Nëpunësit Administrativë, Ligji për Punonjësit e Sektorit Publik dhe Ligji për Zhvillimin Profesional dhe Trajnimin e Nëpunësve Administrativë.





