Gjykata Themelore në Kumanovë ka dënuar sot (9 tetor) me burgim të përjetshëm Trajko Bojkovskin, të shpallur fajtor për katër vrasje dhe dy tentativa vrasjeje ndaj grave në rajonin e Staro Nagoriçanit.
Bojkovski akuzohej për vrasjen e Stançe Karovskës, Janka Antevskës, Marija Marinkovskës dhe Mira Stankovskës, si dhe për tentativat e vrasjes së Rosanka Trajkovskës dhe Slobotka Arsovskës.
Gjatë procesit gjyqësor, Prokuroria kërkoi dënimin maksimal, duke argumentuar se provat e paraqitura dëshmonin fajësinë e të akuzuarit. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke shqiptuar dënimin më të rëndë – burgim të përjetshëm. Priten detaje të tjera lidhur me vendimin gjyqësor.








