Sarajevë, 11 korrik – Zhurnal.mk – Bosnja dhe Hercegovina sot shënon 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, krimit më të rëndë të kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë në enklavën e Srebrenicës, e cila në atë kohë ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Më 9 korrik 1995, udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, urdhëroi pushtimin e Srebrenicës. Forcat serbe rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë të OKB-së, duke marrë peng rreth 30 prej tyre.
Një ditë më vonë, më 10 korrik, filloi bombardimi intensiv i qytetit. Pavarësisht paralajmërimeve të forcave holandeze për sulme ajrore të NATO-s nëse ofensiva nuk ndalej, trupat serbe vazhduan avancimin.
Pas rënies së zonës së sigurt, rreth 30 mijë refugjatë boshnjakë u grumbulluan pranë bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari. Komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç, u tha civilëve se nuk kishin arsye për frikë, ndërsa forcat e tij filluan ndarjen e burrave dhe djemve nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit.
Refugjatët u hipën në autobusë me premtimin se do të evakuoheshin në zona të sigurta. Shumë prej tyre u dërguan në Kladanj, rreth 50 kilometra larg, ndërsa mijëra burra u zhdukën pa gjurmë. Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e të mbijetuarve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, duke ngritur dyshime serioze për fatin e burrave të ndarë prej tyre.
Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë boshnjakë u përpoqën të largoheshin në këmbë drejt territoreve të kontrolluara nga qeveria e Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë prej tyre humbën jetën nga bombardimet, pritë dhe sulmet e snajperëve gjatë rrugës.
Në ditët që pasuan, mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u ekzekutuan dhe u varrosën në varre masive. Më vonë, trupat u zhvarrosën dhe u rivarrosën në lokacione të ndryshme, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Edhe 31 vjet pas gjenocidit, vazhdojnë të zbulohen varre masive, ndërsa procesi i identifikimit të viktimave mbetet i vështirë, pasi shumë trupa u copëtuan dhe u zhvendosën me makineri të rënda.
Gjenocidi i Srebrenicës është njohur me vendime të gjykatave ndërkombëtare si gjenocid, ndërsa 11 korriku shënohet çdo vit si ditë përkujtimi për mijëra viktimat e këtij krimi.
.





