Pas disa ditësh tensione të krijuara me bllokimin e deponisë “Krasta” në Kumanovë, nga ana e banorëve të fshatrave Pçinja, Studena Bara dhe fshatrave përreth, pas një takimi të mbajtur mbrëmë vonë mes përfaqësuesve të fshatrave dhe strukturave komunale, më në fund është arritur marrëveshja për debllokimin e kësaj deponie.
Këtë e ka bërë të ditur kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
“Mbrëmë vonë realizuam një takim me përfaqësuesit e fshatit Pçinja. Kemi zhvilluar një bisedë konstruktive për tejkalimin e këtij problemi. NP “Higjienë dhe Gjelbërim”, me ndihmën e Komunës së Kumanovës dhe kompani të tjera do të vazhdojnë me sanimin e deponisë “Krasta”, si dhe avancimin e gjendjes në deponi dhe masa të tjera me rekomandim të banorëve të rajonit të Pçinjës. Deponia “Krasta” tashmë është debllokuar për punë e me këtë aktivitet shërbyese të ndërmarrjes “Higjienë dhe Gjelbërim” do të vazhdojnë pa pengesa”, – thuhet në njoftimin e kreut të Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje që nga orët e mëngjesit të sotëm janë vërejtur lëvizje dhe aktivitete të shtuara të NP “Pastrim dhe Gjelbërim”, kamionët e të cilës tashmë po bartin mbeturinat në deponinë “Krasta”.
Të përkujtojmë se për shkak të bllokadës nga banorët lokalë për disa ditë, NP “Pastrim dhe Gjelbërim” ishte e detyruar që mbeturinat nga Kumanova t’i dërgojnë në deponitë në komunat fqinje Rankovc dhe Kratovë, kurse gjatë ditës së djeshme me makineri të rëndë mbeturinat u bartën edhe në deponinë “Drislla” në Shkup.








