139 raste të reja janë regjistruar gjatë 48 orëve të fundit në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Klinik të Tetovës. Sipas mjekëve, numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është rritur ndjeshëm, ndërsa simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë, të vjellat dhe diarreja.
“Në Spitalin Klinik të Tetovës, gjegjësisht në Repartin e Pediatrisë, kemi pasur 139 raste në 48 orët e fundit. Prej tyre, 12 fëmijë janë hospitalizuar, ndërsa të tjerët janë lëshuar për trajtim në shtëpi”, bëjnë të ditur nga Reparti i Pediatrisë në Tetovë.
Specialisti i pediatrisë, dr. Isa Osmani, ka sqaruar se në shumicën e rasteve bëhet fjalë për viroza sezonale, të cilat gjatë periudhës së verës mund të përhapen më lehtë për shkak të temperaturave të larta, ushqyerjes dhe kontaktit mes fëmijëve.
Sipas tij, prindërit duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë hidratimit të fëmijëve, veçanërisht në rastet kur shfaqen diarreja dhe të vjellat, për të parandaluar dehidratimin.
“Shumica e rasteve janë viroza me karakter sezonal. Për shkak të temperaturave të larta, mënyrës së ushqyerjes dhe kontaktit mes fëmijëve të sëmurë dhe atyre të shëndetshëm, këto viroza mund të përhapen më lehtë”, deklaroi Osmani.
Për situatën ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët (ASH), e cila ka kërkuar sqarime nga institucionet për rritjen e numrit të rasteve në Tetovë.
“Pse tani heshtin? Shëndeti publik nuk mund të trajtohet sipas komunës, kryetarit apo interesit politik të ditës”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Ndërkohë, mjekët u bëjnë apel prindërve që të kujdesen për higjienën e ushqimit, të sigurojnë konsumim të mjaftueshëm të lëngjeve dhe të shmangin kontaktet me persona të prekur nga virozat.






