12 vjet burg për Stojançe Jovanovskin – dhuna sistematike çoi në tragjedinë e Ivanës dhe vajzës 6-vjeçare

Stojançe Jovanovski u dënua me gjithsej 12 vjet burg, për 3 vepra penale.
“Stojançe ka kryer veprën penale lëndim trupor, veprën penale rrezikim i sigurisë dhe veprën penale nxitje të vetëvrasjes. Për të tre veprat penale është shqiptuar dënimi maksimal prej 12 vite burg,” deklaroi Ivica Stefanovski, Gjykatës.

Jovanovski ka ushtruar dhunë dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj Ivanës që nga viti 2023. Sipas Prokurorisë këto ngjarje e kanë çuar 31-vjeçaren drejt vetëvrasjes së bashku me vajzën 6-vjeçare Katja. Avokatja e familjes së Ivanës dënimin e cilëson si hap të rëndësishëm pasi për herë të parë ndodh dënimi për nxitje të vetëvrasjes si pasojë e dhunës.

“Është shumë domethënëse pasi për herë të parë, kemi një aktgjykim për nxitje të vetëvrasjes si pasojë e dhunës familjare. Konsiderohet se ky është një hap i madh që duhet të ndiqet edhe në të ardhmen, sepse në rastet e vetëvrasjeve institucionet shtetërore duhet të hetojnë nëse ato kanë ndodhur si pasojë e dhunës së vazhdueshme familjare, ashtu siç ishte edhe ky rast,” tha Neda Çallovska, Avokate e familjes së Ivanës.

Ndërkohë Prokuroria kërkon ashpërsimin e dënimeve për veprat e këtilla penale. Sipas prokurores Adella Bojçeviq nuk mund të barazohet dhuna në familje me nxitjen e vetëvrasjes.

“Politikat ndëshkuese ndoshta nuk janë në korrelacion dhe nuk përputhen me pasojat kaq të rënda që i kemi në raste të tilla, sidomos që për herë të parë kemi rast të vetëvrasjes së zgjeruar, jo vetëm vetëvrasje dhe mendoj se kjo do të duhet të ishte lëndë e analizës më të gjerë të ekspertëve juridikë dhe përpiluesve të ligjeve në drejtim të politikave më të ashpra ndëshkuese dhe përmirësimin e politikave të tilla,” tha Adela Bojçeviq, Prokurore.

Ngjarja tragjike në Karposh të Shkupit më 2 mars, ngjalli reagime të shumta në opinion, sidomos për mosfunksionimin e institucioneve në rastin e Ivana Jovanovskës. Edhe përkundër denoncimeve të vazhdueshme të dhunës nga bashkëshorti i saj, me të cilin ishte në proces divorci, reagimi ishte i padukshëm. Parregullsi u konstatuan në Qendrën për Punë Sociale dhe nëpunësve policorë. Hetimi për ta vazhdon. /alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit