Aliu: Për çdo denar nga akciza e duhanit, ekonomia shpenzon rreth katër denarë për përballimin e pasojave shëndetësore nga pirja e duhanit

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot iu drejtua mbledhjes së Këshillit Ekonomik-Social në Qeveri, ku prezantoi risitë në projektligjin për mbrojtje nga pirja e duhanit.
“Ligji ekzistues është pothuajse 30 vjet i vjetër dhe nuk i përgjigjet realitetit të sotëm, sidomos me paraqitjen e produkteve të reja si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit pa djegie, rregullat e paqarta për objektet e gastronomisë dhe mbrojtjen e dobët të të rinjve. Ky ligj është pjesë edhe e detyrimeve tona ndaj Bashkimit Evropian, por më e rëndësishmja, është përgjigje ndaj problemeve reale që i ndjejnë drejtpërdrejt punëtorët, kompanitë dhe familjet. Thelbi është se duhani nuk është vetëm sfidë shëndetësore, por edhe barrë ekonomike për shtetin tonë. Duhani është përgjegjës për mbi 3.600 raste vdekjeje në vit, përkatësisht rreth 13% e numrit total të vdekjeve, duke e renditur Maqedoninë ndër vendet me vdekshmërinë më të lartë nga pirja e duhanit në Evropë, me mbi 170 raste vdekjeje për 100 mijë banorë, krahasuar me mesataren evropiane prej 95”, theksoi ministri Aliu.
Ai shtoi se përveç aspektit shëndetësor, barra ekonomike është pothuajse katër herë më e lartë se të ardhurat totale që shteti mbledh nga akcizat për produktet e duhanit, përkatësisht për çdo denar që hyn në Buxhet përmes akcizave të duhanit, ekonomia shpenzon rreth katër denarë për përballimin e pasojave shëndetësore.
“Punëtorët në sektorin e gastronomisë janë grupi më i ekspozuar ndaj pasojave të dëmshme nga pirja e duhanit. Me këto zgjidhje ligjore, ajri i pastër në vendin e punës bëhet e drejtë për çdo punëtor. Po ashtu, po vendosim parimin e përgjegjësisë proporcionale – punëdhënësi që ka ndërmarrë të gjitha masat dhe ka raportuar shkeljen, nuk do të mbajë përgjegjësi për sjelljen e të tjerëve. Sa i përket shqetësimeve për të punësuarit në sektorin e gastronomisë, njohuritë shkencore nga studime ndërkombëtare tregojnë se ndalimet gjithëpërfshirëse kanë efekt neutral ose pozitiv në shitje në këtë sektor. Ndërkohë, një studim i realizuar në vendin tonë në dhjetor 2025 tregon se vetëm 14% e gastronomëve konsiderojnë se rregullativa aktuale është plotësisht joefikase, ndërsa rreth 50% janë të gatshëm t’i bashkohen iniciativave për ambiente pa tym. Vërejtjet e tyre nuk janë kundër ndalimit, por kundër rregullave të paqarta dhe konkurrencës jolojale. Këtë e zgjidhim me rregulla universale për të gjithë. Janë paraparë edhe periudha të arsyeshme kalimtare – gjashtë muaj për ekspozimin në shitjen me pakicë dhe një vit për tarracat e lokaleve”, përfundoi ministri Aliu.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit