Rezultatet priten pas mbylljes së vendvotimeve në mesditë, ndërsa tri nga katër propozimet kërkojnë një shumicë të dyfishtë, atë të votuesve dhe atë të kantoneve
Votuesit zviceranë sot po u drejtohen kutive të votimit për të vendosur mbi katër propozime kombëtare që kanë të bëjnë me kufizimet për fishekzjarrët, rregullat për eksportin e armëve, financimin e pensioneve dhe tatimin e çifteve të martuara, transmeton Anadolu.
Votimi do të përfundojë në mesditë sipas kohës lokale, ndërsa autoritetet federale pritet të fillojnë publikimin e rezultateve teksa vazhdon numërimi i votave në 26 kantonet e vendit.
Nisma për fishekzjarrët, të cilën e kundërshtojnë Këshilli Federal dhe parlamenti, synon të ndalojë shitjen dhe përdorimin e fishekzjarrëve me zhurmë të madhe, me qëllim mbrojtjen e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Propozimi do t’u mundësonte kantoneve të autorizonin përjashtime për ngjarje të mëdha publike.
Ndërkohë, një amendament i propozuar për Ligjin për Materialet Ushtarake do të përjashtonte 36 vende partnere nga ndalimi i përgjithshëm i eksportit të armëve drejt vendeve të përfshira në konflikte të armatosura.
Eksporte të tilla do të duhej të ishin në përputhje me neutralitetin e Zvicrës dhe interesat e saj në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Amendamenti, i mbështetur nga qeveria dhe parlamenti, do të lehtësonte gjithashtu kufizimet për rieksportin e armëve dhe do t’i jepte Këshillit Federal më shumë diskrecion në miratimin e eksporteve në rrethana të jashtëzakonshme.
Megjithatë, autorizimet për eksport do të duhej të vazhdonin të ishin në përputhje me ligjin për neutralitetin, kërkesat për të drejtat e njeriut dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare të Zvicrës.
Eksportet e drejtpërdrejta të armëve drejt Ukrainës do të mbeteshin të ndaluara sipas rregullave të propozuara.
Votuesit do të vendosin gjithashtu nëse norma standarde e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) duhet të rritet nga 8,1 për qind në 8,5 për qind, për të financuar pjesërisht një pagesë shtesë vjetore të pensioneve, e miratuar në mars të vitit 2024.
Propozimi, i mbështetur nga Këshilli Federal dhe parlamenti, vjen përpara pagesës së parë shtesë të pensioneve, e cila pritet të bëhet në dhjetor.
Propozimi i katërt synon të eliminojë disavantazhet tatimore me të cilat përballen çiftet e martuara, duke ruajtur tatimin e përbashkët në nivel federal.
Këshilli Federal dhe parlamenti rekomandojnë që ky propozim të refuzohet, duke argumentuar se miratimi i tatimit individual tashmë i trajton këto disavantazhe.
Tri nga katër propozimet kërkojnë shumicën e votave si të qytetarëve, ashtu edhe të kantoneve, ndërsa amendamenti për Ligjin për Materialet Ushtarake kërkon vetëm shumicën e votave popullore.








