Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka dërguar mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, duke theksuar rëndësinë e barazisë gjinore dhe përfshirjes së grave në vendimmarrje.
Postimi i plotë i Mexhiti:
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, uroj të gjitha gratë për arritjet e tyre në luftën për barazi gjinore. 8 Marsi nuk është thjesht një datë simbolike, por një dëshmi e progresit që gratë kanë bërë, duke thyer paragjykime dhe duke sfiduar diskriminimin shekullor. Kjo ditë na kujton se barazia nuk është një privilegj, por një e drejtë themelore, e cila duhet të mbrohet dhe të forcohet çdo ditë, jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete.
Me krenari mund të them se në ekipin tonë politik dhe qeverisës, gratë nuk janë thjesht pjesëmarrëse, por vendimmarrëse. Të gjitha deputetet nga radhët e LD janë gra, duke treguar se përfaqësimi i vërtetë nuk është rastësi, por zgjedhje dhe angazhim. Në qeveri, nga dy zëvëndësministra që ka LD, njëra është grua. Zëdhënsja dhe këshilltarja për arsimin janë gjithashtu gra, duke dëshmuar se roli i tyre në drejtimin dhe zhvillimin e vendit është i pazëvendësueshëm. Ndërsa edhe në parti shefja e kabinetit është grua. Ky nuk është një përjashtim, por një model që duhet të forcohet dhe të zgjerohet në çdo fushë të shoqërisë.
Sfida jonë e përbashkët mbetet që çdo grua dhe vajzë të ketë mundësitë e duhura për të ndërtuar të ardhmen e saj pa barriera e pa kufizime. Le të punojmë së bashku për një shoqëri ku gratë nuk duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, sepse ato duhet të jenë të garantuara.
Gëzuar 8 Marsin!






