30.8 C
Skopje
Tuesday, September 16, 2025

Zjarrvënie e qëllimshme në një servis makinash, evakuohen banorët

20 vetura janë djegur në një servis në vendin e quajtur Kamnik në orët e para të mëngjesit. Kamerat e sigurisë kanë regjistruar një person, deri tani i panjohur për organet e rendit, i cili fillimisht hedh lëndë djegëse mbi veturat dhe më pas i ndez të njëjtat.

“Mbi 20 vetura janë djegur nga zjarri i mëngjesit të sotëm në një serivs veturash në vendin e quajtur Kamenik në komunën e Kisella Vodës, ndërsa sipas informatave tona, nga ky zjarr dëmi material është shumë i madh dhe deri tani thuhet se kalon mbi 200 mijë euro”, raporton Avni Tahiri, gazetar.

Banorët që jetojnë afër servisit ku u dogjën veturat, përshkruajnë tmerrin e orës tre të mëngjesit. Thonë se u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

“Në mëngjes fillimisht u dëgjua një kërcitje e madhe, sigurisht nga ajo që digjej, ulje, naftë e më pas kishte flakë të madhe. Erdhi policia dhe na urdhëroi që të lëshojmë shtëpitë, dolëm në rrugë dhe më pas erdhën edhe zjarrfikësit për të shuar. Ishte zjarr i madh, i pa përshkruar. Kishte shumë tym dhe ishte e tmerrshme”, u shpreh një qytetar.

“Fillimisht me zgjoi një eksplodim dhe pas kësaj ndoshta 10 minuta ndoshta më pak, erdhi policia dhe trokitën në derë, më zgjuan dhe kërkuan që të dislokohemi nga vendi për arsye sigurie, kur dola jashtë veç më ishin edhe fqinjët tjerë aty. Kishte flakë të madhe sepse këtu janë djegur, guma, plastikë të cilat janë të dëmshme ndoshta kancerogjene, këtë e dinë ekspertet por nuk ishte e mirë për thithje të ati ajri”, tha një tjetër qytetar.

Sipas videove të regjistruara nga kamerat e sigurisë dhe të publikuara në rrjetet sociale, zjarri duket të jetë i qëllimshëm pasi shihet një person me bidon duke hedhur lëndë djegëse mbi veturat e më pas ia vë flakën dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke kërcyer gardhin.

Nga MPB konfirmuan se janë bërë hetimi në vendin e ngjarjes, dhe se nuk ka persona të lënduar përveç dëmeve materiale.

“Sot, rreth orës 03:52, në rrugën “1519” në Kisella Voda të Shkupit ka shpërthyer një zjarr i madh që ka përfshirë dy ndërtesa në pronësi të personave juridikë T.S. dhe A.G. 47 vjeçar. Zjarri ka përfshirë plotësisht edhe një hapësirë magazinash dhe rreth 20 automjete, disa prej të cilave janë dëmtuar. Nuk raportohet për të lënduar. Banorët u evakuuan për siguri dhe u ndërpre përkohësisht energjia elektrike”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se kanë intervenuar me tetë automjete zjarrfikëse ndërsa zjarri është shuar tërësisht pas dy orësh. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit