Asnjë nga koalicionet apo partitë politike nuk kanë shënuar rritje të votave në zgjedhjet e pardjeshme lokale krahasuar me zgjedhjet paraprake parlamentare vitin e kaluar. Në këto zgjedhje, VMRO-DPMNE fitoi 34% të votave ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare kishin madje 43,4%. LSDM dje fitoi 14,2% të votave, që është pak më e ulët se 15,4% nga zgjedhjet parlamentare të një viti e gjysmë më parë. Nëse votat për këshilltarë komunalë i shndërrojmë në numra, VMRO-DPMNE ka fituar 301,720 vota. LSDM dhe koalicioni ka fituar 125,758. AKI ka fituar 114,246. VLEN 91,974. E Majta 57,041 dhe ZNAM 38,392. Nëse marrim për shembull zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, VMRO-DPMNE ka shënuar rënie për 134,687 vota. Vitin e kaluar, VMRO-DPMNE pati 436,407 vota. LSDM në krahasim me zgjedhjet e vitit të kaluar, ka shënuar rënie prej 28,689 vota, pasi vitin e kaluar pati 154,447 vota. AKI që në zgjedhjet e fundit garonte nën logon e Frontit Evropian, ka shënuar rënie prej 23,444 votave. Në zgjedhjet e fundit kishte 137,690 vota. Koalicioni VLEN gjithashtu ka shënuar rënie prej rreth 15 mijë votave. Në zgjedhjet e fundit parlamentare VLEN fitoi 106,937 vota. E Majta ka shënuar rënie gjithashtu dhe atë për 11,596 vota. Vitin e kaluar morën 68,637 vota. 17,840 vota ka humbur edhe Lëvizja Znam. Vitin e kaluar kishte 56,232 vota.
Por nëse këto zgjedhje lokale i krahasojmë me zgjedhjet lokale të vitit 2021, disa kanë shënuar rritje e disa rënie tejet të madhe. Për shembull VMRO-DPMNE ka shënuar rritje prej rreth 11mijë votave. Humbësja më e madhe në këto zgjedhje del të jetë LSDM-ja. Në krahasim me vitin 2021, kanë humbur rreth 111 mijë vota.
Bashkimi Demokratik për Integrim në vitin 2021 pati garuar e vetme dhe pati fituar 103,145 vota. Në këto zgjedhje, bashkë me partitë e tjera pjesë e AKI-së, ka fituar 114,246 vota që shënon rritje prej 11 mijë vota por bashkë me dy krahët e Aleancave dhe disa parti më të vogla.
Koalicioni VLEN në vitin 2021 nuk ka ekzistuar. Atëkohë Lëvizja Besa pati garuar e vetme ndërsa Alternativa ishte në koalicion me Aleancën për Shqiptarët. Në 2021 nuk ka ekzistuar as Lëvizja Znam.
Ndërkohë E Majta ka shënuar rritje në krahasim me zgjedhjet lokale 2021 dhe atë për 7 mijë vota. Votat e zgjedhjeve të pardjeshme janë marrë ato të këshilltarëve sepse për kryetarë komunash, në shumë komuna partitë kanë pasur koalicione apo bashkëpunime mes vete. /Alsat.mk