18.8 C
Skopje
Sunday, May 19, 2024

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Deri në orën 13 votuan 25 për qind e qytetarëve

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë që nga mëngjesi i së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhjet e dyfishta.

Vendvotimet u hapën në orën 7:00, dhe dalja në zgjedhjet presidenciale deri në orën 13:00 ka arritur në 23.95 për qind nga gjithsej 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote. Kurse, për zgjedhjet parlamentare kanë votuar 25.84 për qind e trupit votues, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

Pjesëmarrje në votimet për Parlament është më e ulët nga ajo për zgjedhjet presidenciale, në veçanti në rajonet perëndimore të vendit të banuara me shqiptarë.

“Mund të vërehet se në Maqedoninë lindore dhe qendrore më shumë votues kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, ndërsa në pjesën perëndimore pjesëmarrja ka qenë më e ulët”, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Ndërkohë, procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë demokratike dhe pa probleme, sipas KSHZ-së.

Edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar për mbarëvajtje të procesit zgjedhor.

“Sipas informacioneve që posedoj, të gjitha qendrat e votimit janë të hapura dhe qytetarët mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në një atmosferë paqësore, të drejtë dhe demokratike”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohet nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.

“Misioni i ODIHR-së do të shpallë rezultatet fillestare të vëzhgimit ditën e enjte. Ne do t’i shqyrtojmë rezultatet e tjera kur ato vijnë nga i gjithë vendi dhe më pas do të nxjerrim përfundimet tona bazuar në vëzhgimet e dhëna nga vëzhguesit tanë të shumtë”, ka deklaruar shefja e misionit të ODIHR-së, Jilian Stirk.

Një burrë duke votuar në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, që po zhvillohen njëkohësisht.
Një burrë duke votuar në zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale, që po zhvillohen njëkohësisht.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.

Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.

Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.

Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit