Reformisti Masud Pezeshkian u zgjodh presidenti i ri i Iranit, duke mposhtur rivalin e tij konservator të linjës së ashpër Said Xhalili.
Sipas rezultateve të shpallura nga Autoriteti Zgjedhor, Pezeshkian siguroi 53.3% të më shumë se 30 milionë votave të numëruara, ndërsa Xhalili mori 44.3%. Balotazhi erdhi pasi asnjë kandidat nuk siguroi shumicën në raundin e parë të zgjedhjeve më 28 qershor.
Pjesëmarrja në raundin e dytë të votimit ishte 50%, 10% më e lartë se në raundin e javës së kaluar, kur pjesëmarrja ishte më e ulëta që nga revolucioni islamik i vitit 1979. Shkak ishte pakënaqësia mes popullit iranian, gjë që nënkuptonte që miliona njerëz bojkotuan zgjedhjet.
Disa njerëz që nuk votuan në raundin e parë u bindën të votonin për Pezeshkian me qëllim që të mos lejonin që Xhalili të bëhej president.
Ata druheshin se me fitoren e tij, Irani do të shkonte drejt një konfrontimi më të madh me Perëndimin dhe ai do t’i sillte Iranit më shumë sanksione dhe izolim.
Pezeshkian, një ish-kardiokirurg, është kritik ndaj policisë famëkeqe të moralit të Iranit, ndërsa ka premtuar unitet, por edhe fundin e izolimit të Iranit nga bota.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje për bisedime konstruktive me fuqitë perëndimore lidhur me rinovimin e marrëveshjes bërthamore të 2015, në të cilën Irani ra dakord të ndalte programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve perëndimore, gjë që kundërshtohet nga rivali i tij, Said Xhalili.
Ish-negociatori për marrëveshjen bërthamore ka mbështetje të fortë mes komunitetit fetar të Iranit dhe njihej për qëndrimin e ashpër kundër perëndimit.
Zgjedhjet në Iran u thirrën pasi presidenti i mëparshëm Ebrahim Raisi humbi jetën në një aksident ajror në muajin maj, bashkë me shtatë zyrtarë të tjerë./BBC