Ka skaduar afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave për kryetarë komunash nga përfaqësuesit e autorizuar për zgjedhjet e përsëritura lokale të caktuara më 11 janar 2026.
Siç na informoi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani, në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë, ku në zgjedhjet e kaluara nuk u arrit minimumi ligjor i daljes prej një të tretës së numrit të përgjithshëm të votuesve, janë dorëzuar gjithsej shtatë kandidatura.
Në Gostivar në garën zgjedhore do të konkurrojnë kandidatët e Aleancës Kombëtare për Integrim dhe të koalicionit VLEN. Në Vrapçisht do të garojnë kandidati i AKI-së dhe një kandidat i propozuar nga një grup votuesish.
Në Mavrovë-Rostushë do të përballen kandidatët e koalicionit “Maqedonia Jote” të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ata të koalicionit të LSDM-së, ndërsa në Komunën Qendër-Zhupë është dorëzuar vetëm një kandidaturë nga Partia Demokratike e Turqve.
Fushata zgjedhore për paraqitjen e programeve të kandidatëve para elektoratit fillon më 22 dhjetor dhe do të zgjasë deri më 9 janar të vitit të ardhshëm. Një ditë para zgjedhjeve, më 10 janar, votojnë personat e sëmurë dhe të pamundur, banorët e shtëpive të të moshuarve, si edhe personat që vuajnë dënimin me burg dhe të paraburgosurit.
Heshtja zgjedhore do të fillojë më 10 janar në mesnatë dhe do të zgjasë deri në orën 19:00 të 11 janarit, ditën e zgjedhjeve.





