Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali zbulon hapat për zgjidhjen e provimit të jurisprudencës

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në një intervistë për emisionin “RISHTAZI” në Kohacast, ka folur për ecurinë e procesit eurointegrues të Maqedonia e Veriut, si dhe për protestat e studentëve në vend.

Sipas tij, vendi aktualisht ndodhet në një fazë të avancuar të integrimit evropian dhe pritet të renditet ndër shtetet më të suksesshme në rajon.

“Maqedonia e Veriut nuk ka qenë asnjëherë me dinamikë më të lartë të procesit të eurointegrimit sesa është tani. Këtë e them me dëshmi, për arsye se në procesin e integrimit tonë, ne jemi pjesë e një pakete prej gjashtë shtetesh në Ballkanin Perëndimor. Në këtë rrugëtim, mund të them lirisht se në raportin që do ta marrim nga mesi i prillit, jemi në grupin e shteteve që shtyjmë përpara dhe ecim përpara. Mali i Zi është numër një, ndërsa ne me siguri do të jemi shteti i dytë dhe katër të tjerët janë pas nesh”, deklaroi Sali.

Duke komentuar protestat e studentëve, ai theksoi se ato janë një e drejtë legjitime dhe demokratike.

“Si një politikan i ri, i cili karrierën e tij politike e ka filluar me protesta, mendoj se ndoshta jam më i thirruri për të pasur mirëkuptim për atë që po ndodh sot. Protesta është e drejtë demokratike e çdo qytetari për të shprehur pakënaqësinë, revoltën dhe mesazhin e tij në mënyrë publike, për të sensibilizuar opinionin për një temë të caktuar. Kam mirëkuptim për studentët, pasi ata janë e ardhmja jonë. Mënyra se si duan ta realizojnë një përcaktim apo kërkesë ndaj politikave shtetërore është e tyre, dhe njëra prej formave është edhe protesta”, u shpreh ai.

Sali nënvizoi se bëhet fjalë për një çështje që ka mbetur e pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash, por që tashmë është në fokus të institucioneve.

“Megjithatë, në këtë rast, dua të ndaj me opinionin se kemi komunikim me përfaqësues të studentëve. Kam pasur edhe më herët takime me ta dhe i kemi njoftuar për mënyrën se si synojmë ta zgjidhim këtë çështje. Natyrisht, kërkesa e tyre është që kjo të bëhet brenda një afati më të shkurtër. Por, duke pasur parasysh se kjo temë nuk është zgjidhur për 22 vite dhe është trajtuar në mënyrë të pjesshme, ka mbetur në këtë gjendje që krijon hapësirë për interpretime dhe zbatime të ndryshme. Kjo tregon se në të kaluarën nuk ka pasur fokus të mjaftueshëm për një zgjidhje përfundimtare. Ne kemi pasur rreth gjashtë ministra nga një parti politike dhe një nga një parti tjetër, në kuadër të të njëjtit koalicion. Nuk i dimë rrethanat pse kjo çështje ka mbetur e pazgjidhur. Sot, ne po përpiqemi ta zgjidhim, në mënyrë që studentët ta realizojnë të drejtën e tyre dhe ne, si politikanë, ta arsyetojmë mandatin që kemi marrë”, deklaroi Sali.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit