Kryetari i Alternativës dhe njëri prej liderëve të koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, ka marrë pjesë në tubimin qëndror të Koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale të 19 tetorit në Komunën e Çairit.
Në fjalimin e tij, Ibrahimi u shpreh ashpër ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se “gjyshi Ali” po ofendon dhe shpif, sepse nuk mund t’i përballojë rezultatet e VLEN-it.
“Sa herë që ne flasim ata shajnë. Sa herë që flasim për përfaqësimin e drejtë, ata shpifin. Sa herë që përmendim investime milionëshe në komuna, ata humbin kontrollin. Andaj del gjyshi Ali dhe shpif, shan e ofendon, sepse nuk mund t’i durojë rezultatet që i ka VLEN-i. Ata nuk janë të zemëruar me fjalët tona, por të tërbuar me rezultatet tona”, deklaroi Ibrahimi.
Ai shtoi se këto zgjedhje janë edhe “test i pjekurisë politike e qytetare”, duke bërë thirrje që qytetarët të votojnë për ndryshimin:
“A do të votojmë për Izetin e punëve apo për Aliun e sharjeve? Për Izet Mexhitin e projekteve apo për Ali Ahmetin e muhabeteve? Për Izet Mexhitin e sukseseve të bardha apo për Ali Ahmetin e listave të zeza?”
Në fund, Ibrahimi u bëri thirrje qytetarëve që 19 tetorin ta kthejnë në një festë të demokracisë:
“Të dielën, me një shtatshe të butë, t’i japim një goditje AKI-së dhe BDI-së.”