Zelensky: Ukraina do të shtojë sulmet ndaj rafinerive ruse për shkak të strategjisë së Moskës

Advertisement

Presidenti Volodymyr Zelensky thotë se Moska ka miratuar një strategji të re sulmesh ndaj infrastrukturës civile ukrainase, me synim që banorët të largohen nga Kievi dhe qytetet e tjera.

Ukraina do të shtojë sulmet ndaj rafinerive të naftës në Rusi, në përgjigje të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky për Reuters.

Sipas Zelenskyyt, shërbimet ukrainase të inteligjencës kanë siguruar dokumente që, sipas tij, tregojnë se Vladimir Putin ka miratuar një doktrinë të re ushtarake për sulme ndaj një game më të gjerë objektivash civile përpara dimrit.

Presidenti ukrainas tha se dokumentet tregojnë se objektivat ruse përfshijnë infrastrukturën, logjistikën, rrugët, shkollat dhe spitalet, si në qytete ashtu edhe në zona rurale.

Sipas Zelenskyyt, qëllimi i kësaj strategjie është të ushtrojë presion mbi popullsinë ukrainase që të largohet nga Kievi dhe qytetet e tjera. “Ne duhet të përgjigjemi në çdo mënyrë që mundemi. Me sulmet e tyre ndaj energjisë sonë, ne duhet t’u përgjigjemi ndaj energjisë së tyre”, tha Zelenskyy, duke e vënë theksin te rafineritë e naftës, të cilat, sipas tij, gjenerojnë të ardhura për financimin e luftës.

Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi se Kievi nuk synon objektiva civile.

Deklaratat e Zelenskyyt vijnë pas një vale të re sulmesh ruse ndaj Ukrainës. Sipas raportimit, sulmet e së shtunës shkaktuan të paktën gjashtë viktima dhe dëmtuan Urën Veriore të Kievit, duke ndërprerë qarkullimin për të tretën ditë radhazi.

Në sulmet e mëparshme ruse janë goditur gjithashtu ndërtesa banimi, magazina supermarketesh, pika karburanti, qendra të të dhënave dhe objekte të tjera civile.

Paralelisht me përgatitjet për sulme të reja ndaj infrastrukturës energjetike ruse, Kievi po punon për përmirësimin e kapaciteteve të luftës elektronike dhe mbrojtjes ajrore. Sipas raportimit, Ukraina po zhvillon kapacitete më të avancuara për bllokimin e dronëve Shahed, si dhe sisteme interceptuese për raketat balistike. Kievi po synon gjithashtu të rrisë kapacitetet për të goditur objektiva në distancë të madhe, përfshirë raketa balistike që mund të arrijnë deri në Moskë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit