Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se avioni presidencial me të cilin ai udhëtonte është shënjestruar dy herë nga Rusia gjatë javëve të fundit.
Në një intervistë për televizionin amerikan CBS, Zelensky tha se njëri prej incidenteve ka ndodhur gjatë kohës kur avioni ndodhej në Moldavi, ndërsa një tjetër gjatë kthimit të tij përmes Kishinaut drejt Ukrainës.
“Avioni im presidencial ndodhej në Moldavi dhe për këtë arsye ata sulmuan Moldavinë”, tha Zelensky, duke iu referuar njërit prej rasteve.
Ai shtoi se gjatë kthimit në Ukrainë, një ose dy dronë kanë hyrë gjithashtu në hapësirën ajrore të Moldavisë.
Sipas Zelenskyt, ky detaj nuk ishte bërë i ditur më parë. Incidenti i parë ishte bërë publik më herët nga kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre.
Presidenti ukrainas nuk dha detaje të tjera lidhur me natyrën e kërcënimit apo mënyrën se si, sipas tij, ishte shënjestruar avioni presidencial.






