-0.2 C
Skopje
Wednesday, December 17, 2025

Zbulohet letra e panjohur e 15 dhjetorit 1942, për Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve

Mbrëmjen e 15 dhjetorit 1942, në ora 19:30, në zyrën e shefit të FBI-së, z. J.Edgar Hoover në Washington DC, mbërriti një telefonatë krejt e papritur. Thirrësi, një individ me shumë tituj, identiteti i të cilit mbahet ende i fshehtë në arkivat amerikane, informonte se Faik Konica atë ditë ishte gjendur i vdekur në banesën e vet në kryeqytetin amerikan. Informatori, më tej deklaronte se “kishte marrë informacion se disa persona të panjohur po largonin sende personale të Konicës nga shtëpia pa kryer formalitetet e duhura”. Ai tha se ishte munduar të kontaktonte Departamentin e Shtetit, por përpjekjet e tij “nuk kishin pasur sukses”. Për këtë arsye, ai kërkonte nga FBI-ja që “të ndërhynte për të ndaluar këto veprime”. Zyrtari që priti telefonatën dhe mbajti shënim kërkesën e veçantë, u përgjigj me mirësjellje se “Byroja nuk kishte juridiksion në çështje të tilla”.

Me të vërtetë, po atë ditë, më 28 nëntor 1942, d.m.th., tetëmbëdhjetë ditë para vdekjes, Konica i shkruajti Earl Brennanit dhe i kërkoi që Shtetet e Bashkuara “të denonconin njohjen e dominimit italian, të pranuar heshturazi (implicitly) me politikën e “qëndrimit të butë” [appeasement], dhe ta njihnin Mbretin Zog si kreun e ligjshëm të vendit”, pasi “si pasojë e rrjedhjes së detyruar të ngjarjeve, [Ahmet Zogu] ishte kthyer në simbol të pavarësisë së Shqipërisë – dhe kësisoj ai duhet ruajtur me çdo kusht nëse e kaluara dhe e tashmja duhen mbajtur të pandërprera”.

Kuptohet se Noli dhe Konica, si dy burra shteti, diplomatë e dijetarë të rrallë, e kishin të qartë se rrethanat e krijuara pas pushtimit nga Italia, kishin cenuar vazhdimësinë e shtetit shqiptar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Gjendja e paqartë në terren dhe mosnjohja e një qeverie në mërgim nga Anglia, vinte në rrezik vetë ekzistencën e Shqipërisë.

Letrën e Konicës për Brennain nuk e kemi të plotë, por me siguri ai do t’i ketë kërkuar edhe një deklarim më të qartë prej Shteteve të Bashkuara për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë pas lufte, sipas qëndrimit të përbashkët me Nolin të 19 nëntorit 1942.

Sigurisht, në kuadër të nxitjes së qëndresës ndaj pushtuesit italian vetë OSS-s, kishte objektivat e veta strategjike në Shqipëri. Përputhja e tyre me synimet Nolit dhe Konicës mund të ketë qenë faktor që përpjekjet e dy burrave të urtë të mos mbeteshin pa efekt.

Edhe 16 ditë Me të vërtetë, më 30 nëntor 1942, ose gjashtëmbëdhjetë ditë para vdekjes së Faikut, OSS do të vinte në lëvizje vetë Departamentin e Shtetit për të bërë një deklaratë tjetër për Shqipërinë. Ngjarja përshkruhet në një dokument të Adolf. A. Berle. Jr., Ndihmës/Sekretar i Shtetit i Departamentit të Shtetit:

Frank Sayre ndaloi këtu dhe shpjegoi se Zyra e Shërbimeve Strategjike po bënte plane për [nxitjen] e lëvizjes së armatosur politike [political warfare] në Shqipëri.

Z. Brannon (siç), i asaj zyre, ka hartuar një projekt letër, të cilën ai shpreson se OSS-s do t’ia përcjellë Sekretarit të Shtetit. Kopja është bashkëngjitur.

Shkurtimisht, thelbi është se ai është gati të kërkojë një deklarate prej Shteteve të Bashkuara që të shpallë se Shqipëria e pavarur do të ri ngrihet pas luftës, çka do të ndihmojë nxitjen e luftës guerilase atje.

Brannon, si dhe Frank Sayre, janë të bindur se, të paktën ekziston një mundësi që Britania e Madhe të jetë përfshirë në bisedime jo-zyrtare edhe me Jugosllavinë, edhe me Greqinë, me qëllim ndarjen e Shqipërisë midis tyre.

Unë do të jem mjaft i lumtur të kem mendimin tuaj sa më sipër.

Me të vërtetë Brennan i paraqiti Departamentit të Shtetit një propozimi prej dy pikash, i cili në thelb, përputhej me pikëpamjen e Nolit dhe Konicës. Në pikën e parë ai “kërkonte, shpalljen e një deklarate të hershme të autoritetshme në mbështetje të kauzës së një Shqipërie të pavarur”.

Kjo, vazhdon më tej ai, “do të lehtësojë bashkëpunimin ushtarak me udhëheqësit guerilas që po luftojnë kundër italianëve” dhe do të përbëjë “mbështetje morale 100% për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit”.

Në pikën e dytë, Brennan “shpresonte se Departamenti [i Shtetit] mund ta mendojë të përshtatshme njohjen si entitet simbolik të njëfarë grupi që të përfaqësojë aspiratat e shqiptarëve, qoftë thjesht si komitet përfaqësues shqiptar ose si qeveri në mërgim”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit