Zbulohet “Descendants: Wicked Wonderland”, Rita Ora rikthehet si Mbretëresha e Zemrave

Disney ka publikuar pamjet e para nga filmi i pestë i sagës së njohur “Descendants”, që mban titullin “Descendants: Wicked Wonderland”. Parapamja u prezantua para transmetimit të “Descendants/ZOMBIES: Worlds Collide – Concert Special”, duke zbuluar detaje nga aventura e re.

Ngjarja zhvillohet kryesisht në Botën e Çudirave (Wonderland) të ditëve të sotme, pas ngjarjeve të filmit paraprak. Red (e kuqja) dhe Chloe përpiqen të fshehin një orë magjike në Kasafortën Mbretërore (Royal Vault), pa e ditur se Maddox Hatter është në kërkim të saj, i vendosur të ndryshojë fatin e Botës së Çudirave sipas planeve të tij, shkruan KultPlus.

Në këtë kapitull rikthehet këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, në rolin e Mbretëreshës së Zemrave. Gjithashtu, Brandy interpreton Hirushen, ndërsa Melanie Paxson rikthehet si Kumbara Magjike dhe Paolo Montalban si Mbreti Sharmant. Kasti plotësohet edhe me personazhe të reja si Pink, Luis Madrigal, Max Hatter, Hazel Hook, Robbie Hood, Felix Facilier, si dhe Squirmy Smee e Squeaky Smee.

Regjinë e mban Kimmy Gatewood, ndërsa skenari është shkruar nga Tamara Chestna, Dan Frey dhe Ru Sommer. Koreografitë e reja muzikore janë realizuar nga koreografi fitues i çmimit Emmy, Emilio Dosal.

Filmi “Descendants: Wicked Wonderland” pritet të shfaqet këtë verë në Disney+ dhe në Disney Channel.

Ndërkohë, Rita Ora është pjesë edhe e “Descendants/ZOMBIES: Worlds Collide – Concert Special”, ku interpreton këngën “Love Ain’t It”. Në një postim në rrjetet sociale, ajo u shpreh: “Po marr kurorën. Gjithmonë më pëlqen t’i këndoj këto këngë, sidomos me ‘Red’-in tim të vogël. ‘Descendants/ZOMBIES: Worlds Collide – Concert Special’, me ‘Love Ain’t It’, është tani i disponueshëm në Disney+.”/KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit