Autori i dyshuar i vrasjes së 48-vjeçarit Artur Çangu, shtetasi Eduart Afmataj, ka dhënë dëshminë e tij të parë përpara grupit hetimor, duke rrëfyer dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Fushë Krujë më 10 prill.
Sipas informacioneve të gazetares Xhensila Kodra, autori i dyshuar Afmataj ka deklaruar se mes tij dhe viktimës fillimisht ka pasur një konflikt verbal, i cili më pas ka degraduar në përplasje fizike.
Ai ka pohuar se është goditur me një kosë të vogël.
Në dëshminë e tij, i dyshuari ka deklaruar se më pas ka marrë një armë gjahu çifte dhe ka qëlluar 48-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, ai ka njoftuar vetë Policinë për krimin e kryer dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia e Shtetit bëri me dije se Eduart Afmataj u arrestua brenda më pak se 24 orësh në zonën e Bruz Malit, në Malësinë e Krujës, ku ishte fshehur në një terren të thellë malor. Sipas autoriteteve, gjatë arrestimit ai nuk ka bërë rezistencë.
Ndërkohë, arma e dyshuar e krimit ende nuk është gjetur dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



