Ylfete Fanaj zgjidhet presidente e Konkordatit të burgjeve të Zvicrës Veriperëndimore dhe qendrore.
“Jam e lumtur që jam zgjedhur presidente e Konkordatit të Zbatimit Penal (burgjeve) të Kantoneve të Zvicrës Veriperëndimore dhe Qendrore. Çelësi simbolik përfaqëson përgjegjësinë dhe besimin – themeli i bashkëpunimit tonë brenda Konkordatit”. Kështu shprehet Ylfete Fanaj në një postim të saj në mediat sociale me rastin e marrjes së “çelësit” simbolik të postit të saj të ri, shkruan albinfo.ch.
Fanaj, e zgjedhur afër tri vite më parë në Qeverinë e Kantonit të Lucernit, mban Departamentin e Drejtësisë dhe Sigurisë.
“Sidomos duke pasur parasysh situatën e tensionuar të kapacitetit të burgjeve në të gjithë Zvicrën, nevojiten zgjidhje të qëndrueshme për të siguruar efektivitetin e sistemit të burgjeve dhe për të garantuar sigurinë, sundimin e ligjit dhe rehabilitimin në planin afatgjatë”, thotë më tutje Ylfete Fanaj.
“I shpreh falënderimet e mia të sinqerta paraardhëses sime, Karin Kayser-Frutschi, për përkushtimin e saj të jashtëzakonshëm dhe themelin e vlefshëm mbi të cilin mund të ndërtojmë. Pres me padurim bashkëpunimin e vazhdueshëm me Konkordatin e Zbatimit Penal të Zvicrës Lindore dhe Presidenten e saj, Jacqueline Fehr”, përfundon prononcimi i Ylfete Fanajt./KultPlus.com



