Përfaqësuesja e Zvicrës ka pasur gjatë viteve të fundit një kontigjent të rëndësishëm lojtarësh me origjinë shqiptare, të cilët kanë pasur rol thuajse parësor në formacion, nisur nga cilësia e tyre më e mirë krahasuar me lojtarët e tjerë. Në këtë kontigjent, lojtarët që kanë lënë më shumë gjurmë janë Behrami, Shaqiri dhe Xhaka, me të cilët Zvicra ka pasur performancë shumë të mirë në garat ndërkombëtare. Duhet thënë se pjesë e kontigjentit në kohë të ndryshme kanë qenë edhe Rama, Mehmedi, Jashari etj, por askush nuk ka mundur të bëjë më shumë bujë se dyshja Xhaka-Shaqiri, që jo vetëm kanë luajtur shumë ndeshje me helvetët, por edhe kanë pasur rol përcaktues në shumë takime. Goli i fundit i Shaqirit shënuar për zviceranët ishte në Europianin e Gjermanisë, në ndeshjen ndaj Skocisë, ku ai realizoi një gol të rrallë. Në rang klubesh, Shaqiri ka braktisur Çikago Fajrs dhe është kthyer në Zvicër, tek skuadra e fëmijërisë së tij, Bazeli, ndoshta për të mbyllur aty karrierën e tij të gjatë e të suksesshme.