Në një intervistë për ora24.tv, Xhenete Bilalli Bafqari, edukatore në Galerinë Kombëtare të Arteve, flet për rrugëtimin e saj në botën e artit dhe sfidat e punës me publikun e ri.

Ajo tregon se pasioni për artin ka nisur që herët, ndërsa studimet në dizajn mode e kanë ndihmuar ta kuptojë artin si një formë të fuqishme komunikimi.
Sipas saj, një ndër sfidat kryesore mbetet përshtatja e artit bashkëkohor për grupmosha të ndryshme, veçanërisht për fëmijët.
Megjithatë, përmes qasjeve kreative dhe punëtorive edukative, ajo arrin ta bëjë artin më të kuptueshëm dhe tërheqës.
“Energjia që marr nga fëmijët është e jashtëzakonshme. Ata nuk e analizojnë artin, ata e ndjejnë”, shprehet ajo për ora24.tv, duke theksuar se çdo aktivitet është një përvojë unike dhe frymëzuese.

Bilalli Bafqari thekson se ekspozitat përzgjidhen nga kuratorët në kuadër të programit vjetor të Galerisë, ndërsa roli i saj si edukatore është t’i shndërrojë ato në përvoja edukative që lidhin artin me brezin e ri.
Ajo vlerëson se galeritë kanë një rol të rëndësishëm në edukimin kulturor, por shton se duhet të rritet pjesëmarrja e publikut vendor dhe vizitat në galeri të bëhen pjesë e jetës së përditshme.
Në këtë intervistë për ora24.tv, Xhenetja ndan edhe planet e saj për të ardhmen, duke synuar zhvillimin e më shumë programeve interaktive dhe krijimin e hapësirave ku fëmijët mund të shprehen lirshëm përmes artit.
Mesazhi i saj për të rinjtë është i qartë: të krijojnë identitetin e tyre dhe të mos kenë frikë të jenë të veçantë.

Në fund, ajo shprehet se inspirimin e gjen në jetën e përditshme dhe në punën me fëmijët, ndërsa ëndërron të vizitojë qytete si Parisi dhe Milano — qendra të rëndësishme të artit dhe dizajnit, që për të përfaqësojnë burime të mëdha frymëzimi./ora24.tv



