12.8 C
Skopje
Tuesday, October 7, 2025

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në Tiranë, ka tronditur thellë opinionin publik

Elvis Shkëmbi, autori 30-vjeçar i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja ka dëshmuar në polici se armën e mbante gjithmonë me vete dhe se e qëlloi gjyqtarin për shkak të mllefit pas vendimit të gjykatësit. “Dëgjova vendimin e gjykatësit, armën e kisha me vete. E mbaja gjithmonë me vete dhe ashtu e mendova për momentin u ngrita u qëllova, më kapi një si mllef”, tha autori në dëshminë e dytë të tij.

Mediat në Shqipëri kanë publikuar pamje se si pas aktit, Shkembi kishte dalur në oborrin e Gjykatës së Apelit, me duar në xhepa dhe gjakftohtë duke iu thënë policëve se vrasjen e ka kryer ai.

Policia shqiptare ka thënë se një roje sigurie në detyrë nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për t’i kontrolluar dy të dyshuar, përfshirë të dyshuarin kryesor për vrasjen e një gjyqtari, kur ata ishin futur brenda Gjykatës së Apelit, pavarësisht se skaneri e kishte alarmuar për praninë e metaleve. Policia tha se dorasi i dyshuar dhe një shoqërues i tij u lejuan nga roja në detyrë, të futeshin pa iu nënshtruar kontrollit fizik, me gjithë paralajmërimet e skanerit që kishte ndezur dritën e kuqe.

Policia ndërkohë ka arrestuar edhe xhaxhain e dorasit, Gjovalin Shkambi, i cili tha se kush do që e dënon nipin e tij, do të përballet me të njëjtat pasoja.

“Ai që do ta dënojë atë, do të përballet me të njëjtën gjë. Ai që e dënon do të përballet me plumba. Do ketë të njëjtin shpërblim, provat i dhamë. Se ia kemi blerë shtetit. Familjes së të ndjerit gjyqtar, i ulem në gjunjë, i kërkoj hallallin. Nëse do e dënojnë atë djalë, do gjykohet si Astriti. Kemi blerë pronën me ligj, me rregulla, jemi borxhlinj. Kush e dënon atë djalë, të njëjtën gjë ka”, tha Gjovalin Shkambi, xhaxhai i dorasit.

Për vrasjen reaguan edhe gjyqtarët nga Gjykata Penale në Shkup, të cilët duke i shprehur ngushëllime familjarëve të Kalasë, shprehën shqetësimin e gjyqtarëve në të gjithë rajonin për sigurinë e tyre dhe respektimin dinjitoz të të drejtave të tyre, gjë që është vënë në pikëpyetje në disa vende të Ballkanit vitet e fundit, përfshirë Maqedoninë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit