Operatori i News24, Aldo Kashri ka rrëfyer momentet që përjetoi gjatë protestës së opozitës më 10 shkurt, për shkak se mori flakë nga shpërthimi i bombave molotov që u përdorën nga protestuest para godinës së parlamentit.
Në një intervistë për emisionin “Kjo javë”, ai tha se ditën e protestës, ishte si herët e tjera mbi makinën e direktes për të filmuar protestën. Në momentin që disa protestues po iu hidhnin efektivëve molotovët, një prej tyre ra mbi makinë dhe për pasojë mori flakë bashkë me të.
Ai tregoi se gjëja e parë që ka bërë ka hequr xhupin që i kishte marrë flakë ndërsa shtoi se disa protestues i kishin ardhur në ndihmë bashkë me makinën e ujit të policisë për të shuar flakët.
Madje, shtoi ai, një prej protestuesve kishte hyrë mes flakëve dhe kishte marrë kamerën me të cilën po filmonte.
“Ditën e protestës isha si herët e tjera mbi makinën e direktes, live-t, duke filmuar protestën e opozitës. Në momentin që disa protestues po godisnin policinë me molotovë dhe fishekzjarre, policia iu kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Ata hedhin çantat që kishin me molotovë dhe nuk e di si ndezën me njëra-tjetrën dhe filloi një shpërthim i pakontrolluar dhe një nga molotovët ra sipër makinës së direktes dhe makina mori flakë, bashkë me mua.
Kam zbritur për inerci nga makina dhe protestuesit më ndihmuan të fik zjarrin bashkë me makinë e ujit të policisë. Dhe makina u përfshi nga flakët bashkë me pajisjet. Por një protestues sypatrembur shkoi mes flakëve për të marrë kamerën. Ajo ca mendova në fillim ishte heqja e xhupit që kishte marrë flakë, vrapoja për të fikur zjarrin.
Ishte një eksperiencë që s’do e kisha përjetuar kurrë. Ne operatorët jemi syri i shikuesve që na ndjekin, ky është profesioni ynë. Vështirësitë e terrenit janë nga më të ndryshmet, dhe nuk e dimë çfarë na ndodh.”, u shpreh ai.



