VMRO-DPMNE ka reaguar me një komunikatë ndaj BDI-së dhe Ali Ahmetit, duke e quajtur atë “zog i trembur” dhe jo “shqiponjë”, siç shpesh ai vetë prezantohet.
Në komunikatë thuhet se “Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij janë mjeshtër vetëm për tenderë, skandale dhe kapje të institucioneve, ndërsa shqiptarët dhe maqedonasit bashkë do t’i thonë mjaft në zgjedhjet e ardhshme”.
VMRO akuzon se BDI e ka mbajtur peng edhe LSDM-në, edhe opozitarët e tjerë, duke i lidhur me afera dhe korrupsion. “Nuk është e vështirë të përballesh me Ahmetin, vetëm duhet vullnet dhe integritet. Ai nuk është shqiponjë, por zog i trembur, i kapur nga frika e humbjes”, thuhet në reagim.
Partia opozitare parashikon se në zgjedhjet e ardhshme BDI do të humbë shumicën e komunave dhe se më pas “do të kërkojë koalicione me çdo kusht, por do të marrë vetëm buzëqeshje ironike në vend të bashkëpunimit”.
Në fund, VMRO i drejtohet Ahmetit: “Në vend që të flasësh për armë, kërcënime dhe patetikë, do të ishte më mirë të shkosh në pension, sepse qytetarët tashmë e kanë të qartë – pushteti yt është 20 vite korrupsion, luks dhe klientelizëm”.