Dega e VMRO-DPMNE në Strugë ka reaguar pas konstituimit të Këshillit të Komunës, duke e cilësuar këtë zhvillim si fund të etnocentrizmit dhe fillim të një kapitulli të ri për qytetin.
Sipas deklaratës së partisë, pas disa tentativave të pasuksesshme, Këshilli i Komunës së Strugës është konstituuar plotësisht, ndërsa kryetar i Këshillit është zgjedhur Mite Stefoski nga radhët e VMRO-DPMNE. Nga kjo parti theksojnë se ky proces i hap rrugë funksionimit normal të institucioneve lokale dhe marrjes së vendimeve në interes të qytetarëve.
VMRO-DPMNE vlerëson se Struga për një periudhë të gjatë ka qenë peng i bllokadave politike dhe i qasjeve etnocentriste, të cilat, sipas tyre, kanë dëmtuar zhvillimin e qytetit. Me përbërjen e re të Këshillit, partia shpreh pritshmëri për profesionalizëm, përgjegjësi dhe transparencë në punën institucionale.
Në fokus të punës së Këshillit të ri, sipas deklaratës, do të jenë përmirësimi i infrastrukturës, menaxhimi më efikas i ndërmarrjeve publike, ulja e shpenzimeve të panevojshme, si dhe mbështetja për arsimin, sportin dhe kulturën.
Nga VMRO-DPMNE shprehen se ky moment nuk duhet parë si fitore politike, por si një mundësi për bashkëpunim në interes të të gjithë qytetarëve të Strugës, pa dallime etnike apo partiake.
Në fund, ata u kanë uruar qytetarëve shëndet, stabilitet dhe përparim, duke shpresuar se viti në vijim do të sjellë zhvillim dhe një jetë më cilësore për Strugën.



