Në kumtesë për mediat, VMRO-DPMNE thotë se Qeveria e ardhshme e formuar nga kjo parti, përmes denarit sportiv do të ndajë 50 milionë euro për sport, ndërsa do të ndërtojë kompleks sportiv në Shkup dhe Manastir.
“Në një mandat katërvjeçar do të ndahen mbi 50 milionë euro për sport, në formë të denarit spotiv nga çdo litër naftë që do të mbushet. Këto para do të dedikohen për investime në infrastrukturën sportive, për të ndihmuar sportin profesional dhe masiv, si dhe edukimin e vazhdueshëm të kuadrit mësimor në shkencën e sportit”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se prioritet kryesor i Qeverisë së ardhshme do të jenë dy komplekset sportive në Shkup dhe Manastir.
“Kompleksi sportiv në Shkup, i cili do të mbajë emrin Kompleksi kombëtar sportiv “Metodia Andonov Çento”, do të ketë një stadium futbolli, një sallë sportive, disa salla më të vogla, salla konferencash, salla fitnesi, mjekësi sportive dhe një muze sporti si dhe hapësirë për federatat sportive. Kompleksi sportiv në Manastir do të përfshijë më shumë objekte infrastrukturore sportive që i mungojnë Manastirit dhe rajonit”, spjegojnë nga VMRO-DPMNE.
Në kumtesën e partisë thuhet se është koha që Maqedonia të fillojë të përparojë dhe të fitojë. “Maqedonia është sërish e juaja! Ndryshimet në duart tuaja!”, thuhet në fund të kumtesës.





