VMRO-DPMNE: Filipçe me kërcënime dhe akuza pa fakte, shmang përgjegjësinë e Zaevit dhe “klanit të Dubait”

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj konferencës për shtyp të mbajtur sot nga Venko Filipçe, duke e cilësuar atë si një paraqitje pa fakte dhe pa përmbajtje konkrete. Sipas partisë në pushtet, deklaratat e Filipçes përmbanin shumë fjalë, por asnjë dokument, dëshmi apo kallëzim zyrtar që do të mbështeste pretendimet e tij.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se Filipçe vazhdon me të njëjtin skenar të njohur publikisht, duke paralajmëruar “bomba”, “informacione” dhe duke ia lënë përgjegjësinë institucioneve, pa dhënë sqarime konkrete se për çfarë bëhet fjalë, ku dhe si kanë ndodhur pretendimet e përmendura.

Reagimi nënvizon se Filipçe flet për “vrima buxhetore”, ndërkohë që, sipas VMRO-DPMNE-së, harron periudhën kur LSDM-ja ka zbrazur arkën shtetërore dhe ka futur vendin në borxhe pa plan dhe pa përgjegjësi. Partia vlerëson se sot, kur po bëhen përpjekje për stabilizimin e financave publike, LSDM po përpiqet të paraqitet si e shqetësuar, pa pasur një program apo vizion të qartë.

VMRO-DPMNE akuzon Filipçen se, në mungesë të politikave konkrete, ai ofron histori për ndërtesa në Dubai, udhëtime dhe afera të sajuara, duke shmangur përgjegjësinë e ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe rrethit të tij.

Sipas reagimit, në konferencën për shtyp nuk u ofrua asnjë zgjidhje apo propozim konkret për çështje kyçe si pagat, ekonomia apo e ardhmja e vendit, por vetëm përpjekje për të krijuar zhurmë mediatike dhe për të fshehur faktin se LSDM aktualisht nuk ka çfarë t’u ofrojë qytetarëve.

Në fund, VMRO-DPMNE vlerëson se narrativat e përdorura nga LSDM po kopjohen nga rajoni dhe se udhëheqja e kësaj partie po shtyhet gjithnjë e më shumë drejt irrelevancës politike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit