Taravari vazhdon të mbetet në qeveri edhe për një afat të pacaktuar. Ky është epilogu i takimit të tij me kryeministrin Mickoski, gjë e cila zgjoi reagime në VLEN. Deputeti Bekim Qoku tha se është e papranueshme qëndrimi i kreut të ASH-së në ekzekutiv, pas pohimit që Taravari ka pasur komunikim me Ali Ahmetin. Qoku duke iu referuar një interviste të Ahmetit, pohon që ata dy kishin pasur tre takime të fshehta mes veti.
“Është pak e habitshme ideja e Taravarit që të mbetet në qeveri sepse ai sapo tha që VLEN-i serviloset, kështu që dikush duhet të jetë servilosur shumë mbrëmë në takim që të ngelet në qeveri. Sepse flasim për një kryeministër, i cili për Arben Taravarin ka qenë shumë i mirë, ndërsa si VLEN ka qenë servilosje dhe parti që rri me zor dhe i bën përshtypje të keqe në publik. Z.Taravari ende është ministër i VLEN-it, pra detyrën si ministër dhe si përfaqësim të qeverisë e ka në kuadër të VLEN-it dhe falë VLEN-it”, tha Bekim Qoku, deputet nga VLEN.
Ka reaguar edhe Izet Mexhiti përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ku flet për besën dhe fjalën e dhënë, ndërkaq përmend edhe afate.
“Fjala e dhënë — BESA — është një nga shtyllat kryesore të kodit të nderit ndër shqiptarë. Besa është besimi, ndershmëria dhe përgjegjësia ndaj fjalës së dhënë. Një njeri që jep besën, është lidhur moralisht dhe shpirtërisht për ta mbajtur atë premtim, edhe nëse kjo do t’i kushtojë shumë. Kur shkelet fjala e dhënë, është thyer buka. E buka që thyhet nuk ngjitet. As me takime të njëpasnjëshme, as me afate një mujore”, tha Izet Mexhiti, kreu i LD-së.
Përndryshe, takimi i mbrëmshëm ndërmjet Kryeministrit Mickovski dhe kreut të ASH-së Taravri u zhvillua me dyer të mbyllura. Ishin të padukshëm për publikun, madje nuk pati as prononcime e as kumtesë zyrtare. Qëndrimi i fundit i Taravarit ishte që po të vendosin të bashkëpunojnë me BDI nuk kanë se çfarë të kërkojnë në qeveri. Tani për tani ai tha se vendimi i vetëm i ASH-së është që në zgjedhje lokale të shkohet me lista të veçanta për këshilltar komunal. Gjithsesi ai tha se vendimet merren nga organet partiake, në bazë të strukturës demografike të ndonjë komune, për bashkëpunim eventual.





