Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka heshtur për më shumë se 24 orë lidhur me rastin e furnizimit të dyshimtë me automjete gjatë Këshillit Ministror të OSBE-së në Shkup, në dhjetor të vitit të kaluar. Qytetarët kërkojnë shpjegime për zhdukjen e 700 mijë eurove, që dyshohet se janë përdorur në mënyrë të paligjshme.
Ministria e Punëve të Jashtme, nën drejtimin e Osmanit, kishte lidhur një kontratë prej 56.640.000 denarësh për qiranë e automjeteve për konferencën, ku çmimet ishin shumë më të larta se ato të një muaji më parë. Për shembull, automjetet VIP për konferencën kushtonin 29,000 denarë në ditë, ndërsa në sezonin e mëparshëm, çmimi për të njëjtën makinë ishte 9,500 denarë.
Pyetja që lind: Kush e përfitoi dallimin prej 700 mijë eurosh? Ky rast është më shumë se një gabim administrativ; është një skemë e dyshimtë korrupsioni. Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi, ndërsa Prokuroria po e shqyrton çështjen. Qytetarët kërkojnë përgjigje urgjente dhe transparencë nga institucionet.
Arbër Kadriu nga VLEN-Çair e quan këtë një skemë korrupsioni dhe kërkon veprime të menjëhershme për zbardhjen e rastit.