19.8 C
Skopje
Wednesday, September 17, 2025

VLEN: Po ndërtojmë ekonominë e së ardhmes – e gjelbër, digjitale dhe me mundësi për të gjithë

Ekonomia e vendit po hyn në një fazë të re zhvillimi, të bazuar në standarde evropiane dhe orientim modern, duke e bërë më të prekshëm se kurrë vizionin për një të ardhme të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Kështu u tha në konferencën më të madhe të biznesit në vend, “Udhëheqës Biznesi”, ku mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, përfaqësues i Qeverisë nga Koalicioni VLEN.

Në një komunikatë për media, VLEN thekson se “ekonomia e së ardhmes” po merr formë përmes tri shtyllave strategjike: transformimi i gjelbër, digjitalizimi dhe inovacioni. Me këto prioritete, synohet jo vetëm modernizimi i ekonomisë, por edhe krijimi i kushteve reale që të rinjtë të mos shikojnë emigrimin si zgjidhje, por të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.

“Qeveria VLEN është në krah të qytetarëve dhe të biznesit, dhe po dëshmon çdo ditë se investimi në dijeni, teknologji dhe kapital njerëzor është rruga më e sigurt drejt suksesit të përbashkët,” thuhet në deklaratë.

Në këtë drejtim, janë aktivizuar një sërë instrumentesh konkrete:

Ligji për Mbështetje Financiare për Investime
Ligjet për Zonat Teknologjike-Industriale dhe të Gjelbra|
Strategjia për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025–2030
Plani i Veprimit për Zhvillim Ekonomik 2025–2027

Përmes këtyre politikave, janë vënë në dispozicion 4.23 miliardë denarë mbështetje financiare, prej të cilave 1.77 miliardë janë nga buxheti i shtetit. Në fokus të veçantë është edhe Plani Operativ për Punësim 2025, i cili me një buxhet prej 2.5 miliardë denarësh synon të përfshijë mbi 16.000 qytetarë përmes trajnimeve, praktikave profesionale dhe vetëpunësimit.

Ndërkohë, nga 1 janari 2026, pritet të hyjë në fuqi Ligji i ri i Punës, i cili do të fokusohet në uljen e punës informale dhe rritjen e punësimit, sidomos për punëtorët sezonalë.

“Ekonomia është projekt kombëtar, dhe çdo sukses i një kompanie është edhe sukses i shtetit. Kjo është filozofia jonë. Ndryshimi tashmë është i dukshëm: po ndërtojmë një ekonomi më të fortë, më të drejtë dhe më konkurruese, me mundësi për të gjithë,” përfundon deklarata e Koalicionit VLEN.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit